Mbrëmjen e fundvitit 2018, qyteti i Ferizajt u trondit nga një plaçkitje e armatosur, me ç’rast grabitësit pasi e plaçkitën një argjentari në qendër të qytetit, gjatë ikjes shkrepën edhe disa plumba nga armët e zjarrit, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes, grabitësit vepruan edhe në rrugën “Ahmet Hoxha”, dhe nën kërcënimin e armës, ia rrëmbyen veturën një banori, i cili në atë moment po zbriste për të hyrë në shtëpi.
Një dëshmitar okular, larg kamerës, flet për ngjarjen e asaj nate, me plot besim se ishin grabitësit e argjentarisë ata të cilët e rrëmbyen veturën e fqiut të tij.
“Ka qenë 31 dhjetori, ora 18 e pak minuta. Pasi kam hyrë brenda, kam dëgjuar disa zëra dhe krisma.
Kur dola jashtë e pashë se kanë qenë dy persona të armatosur. Kojshisë ja morën kerrin me dhunë, mandej kanë filluar drejt rrugës, por policia pas tyre ka qenë dhe e kanë kthye kerrin dhe kanë vazhduar drejt përsëri. Kanë gjuajtur me automat me sa kam vërejtë, me ç’rast janë edhe shenjat këtu, ka qenë një natë shumë e stresuar për të gjithë banorët, veçanërisht për kojshinë të cilin e kanë maltretuar. Ata kanë qenë dy persona, kanë ardhur nga qyteti dhe janë lëshu drejt kah rruga jonë, ku kanë shkrepur me armë para këmbëve të kojshisë” tha dëshmitari.
Pasi kishin gjuajtur në drejtim të banorëve, në largim e sipër, grabitësit kishin dëmtuar disa vetura, ndërsa në kthesë e kanë aksidentuar një fëmijë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
“Policia janë kanë në ndjekje të tyre nuk kanë qenë edhe larg por nuk kanë mundur me gjujtë se ka pasur qytetarë e vetura të tjera afër. Kur kanë dalë në rrugë kanë goditur edhe një fëmijë kur kanë tentu me ikë dhe një veture me tabela të jashtit, ata kanë mundur me ba gjithçka vetëm me pshtu veten”, shprehet ky banor i rrugës Ahmet Hoxha.
Ekziston edhe një video që po qarkullon nëpër rrjetet sociale, e që eshtë bërë natën kritike nga kamerat e sigurisë në rrugën Enver Topalli. Aty shihet anashkalimi i veturës së policisë me veturën e grabitësve të armatosur, dhe momenti kur kriminelët me veturën e vjedhur ngjyrë të bardhë, aksidentuan fëmijën dhe shkrepën disa plumba, si duket nga paniku. Një dëshmitar tjetër i cili e pa incidentin, thotë se në rrugë krahas kolonës së veturave kishte pasur edhe shumë kalimtarë. Videoja mbaron para se të shihet nëse kjo patrullë ka vazhduar me ndjekjen e grabitësve, apo është ndalur tek fëmija i aksidentuar. Policia e Ferizajt akoma nuk ka publikuar ndonjë rezultat nga veprimet e ndërmarra për identifikimin dhe arrestimin e këtij grupi të armatosur kriminal.