I themeluar në vitin 1978 në fshatin Tërrn të Ferizajt, klubi i futbollit “Tefik Çanga”, ka festuar 40 vjetorin e themelimit të tij.
Në një ceremoni të organizuar nga këshilli organizativ i klubit” Tefik Çanga”, ky klub u shqua për rezistencën që tregoi gjatë këtyre dekadave.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, tha se derisa klubet tjera në kohëra të vështira i ndërprenë aktivitetetet e tyre, një gjë të tillë nuk e bëri klubi i futbollit “Tefik Çanga”.
“Tefik Çanga ka ekzistuar edhe atëherë kur ka qenë më së vështiri dhe nuk e ka ndërprerë aktivitetin e vet dhe më vjen mirë që ekziston një përkushtim i tillë nga banorët e këtij fshati ku shihet se ka përkushtim nga të gjithë dhe besoj se do të ketë ngritje edhe më tej. Ne do të jemi afër gjithsesi dhe do t’u mundësojmë brenda mundësive tona që këtë klub ta ndihmojmë”, tha Agim Ademi.
Kurse, kryetari i klubit të futbollit ”Tefik Çanga”, Gafurr Ibrahimi, duke falënderuar ata që kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të këtij klubi, u shpreh i bindur se sukseset nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.
“Falëndroj të gjithë që kanë mbështetur klubin për gjithë këto dekada, e ardhmja do të jetë edhe më e ndritur për klubin tonë dhe shpresoj se nuk do të mungoj asnjëherë përkrahja”, tha Ibrahimi.
Në shënimin e këtij përvjetori të pranishëm ishin edhe familjarë të heroit Tefik Çanga, emrin e së cilit e mban ky klub futbollistik.
“Tefik Çanga varrin e ka në Tiranë, por gjakun e ka në Kosovë, pra ne si familje gjaku na thërret dhe ne vijmë këtu tek gjaku jonë. Ky klub me gjithë vështirësitë që ka pasur vazhdon të funksionoj dhe ne si familje jemi të nderuara dhe gjithmonë do jemi prezent”, tha Burhan Çanga.
“Unë kam marrë vesh për këtë klub rastësisht, më pas më bëri të vëmendshëm Gafurr Ibrahimi për ekzistencën e klubit dhe për mua është kënaqësi që ju keni respektuar figurën e personit, por dhe vet keni krijuar një jetë sociale përmes sportit, unë do të angazhohem që të mbështes skuadrën dhe unë do të jem i hapur për çdo lloj gjëje që unë mund të ndihmoj fshatin dhe skuadrën”, tha Florian Çanga.
Në këtë organizim të shënimit të 40 vjetorit të klubit futbollistik të fshatit Tërrn, u prezantua edhe një dokumentar i cili shpalosi historikun e këtij klubi, përgatitur nga Hekuran Ibrahimi.