Është mbyllur përfundimisht grupi “Albkings”, që dyshohej për publikim të jashtëligjshëm të fotove intime dhe të dhënat personale të qytetarëve në rrjetet sociale.
Kjo u bë e ditur gjatë një konference për media të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, gjatë së cilës, prokurorja e rastit, Erza Bajrami – Kastrati, dha detaje rreth hetimeve duke konfirmuar njëherazi edhe arrestimin deri më tani të shtatë personave.
“Me 14 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e njërit prej administratorëve të AlbKings. I njëjti dyshohet për veprën penale vjedhja e identiteteve dhe kredencialeve. Me 23 prill, është ndaluar edhe personi i dytë i gjinisë femër, e përfshirë në këtë rast, duke qenë njëra nga administratoret e këtij grupi, ka kryer të njëjtën vepër si personi i parë. Me 23 maj, pas hetimeve të vazhdueshme, prokuroria ka arritur të lëshojë aktvendim për ndalimin e personit të tretë, saktësisht administratorit kryesor dhe themeluesit të grupit. Ndaj të njëjtit prokuroria ka parashtruar kërkesë për paraburgim dhe kjo është miratuar nga Gjykata. Me lejoni të theksoj se në saje të bashkëpunimit të Prokurorisë, Policisë dhe qytetarëve kemi arritur t’i identifikojmë dhe arrestojmë shtatë persona të përfshirë në këtë rast penal”, theksoi Bajrami-Kastrati.
Derisa kryeprokurori i Prishtinës Zejnullah Gashi, theksoi se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.
“Ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen”, tha Gashi.