Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme tashmë është ezauruar.
Krasniqi, në një konferencë për media tha se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie”, është shprehur kreu i PDK-së.
Krasniqi theksoi se edhe për PDK-në dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje, por mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit, andaj siç u shpreh, nuk e kupton se pse LDK-ja dhe AAK-ja nuk e mbështetën idenë e shkuarjes në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Kreu I PDK-së tha se një gjë të tillë nuk e mban në mend të ketë ndodhur në historinë e demokracisë parlamentare.
“Refuzimi për të shkuar në zgjedhje të hershme, për mua vërtet mbetet befasues. Nuk dëshiroj të spekuloj se a janë të papërgatitura partitë opozitare, a kanë nevojë për kohë më shumë, por një gjë e di, nuk më kujtohet ndonjë rast tjetër në historinë e demokracisë parlamentare ku Qeveria thotë ‘ejani të shkojmë në zgjedhje, jam e gatshme’, e opozita thotë ‘jo, vazhdoje mandatin deri në fund’. Këtë e kam të vështirë ta kuptoj, por e kam të vështirë edhe ta arsyetoj”, tha Krasniqi.
Propozimin për shpërndarjen e Kuvendit, PDK e ka dhënë në mbledhjen e Këshillit Drejtues qysh në korrik të vitit 2023 dhe e ka përsëritur në mbledhjen e radhës në shkurt të këtij viti, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila rikthen Kosovën në kursin e zhvillimit dhe integrimit.