Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) ka ftuar anëtarësinë që të mos nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës.
Sipas SBAShK-ut, ky version ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore.
“Kohëve të fundit po qarkullon një version i ri i Kontratës së punës për sektorin e arsimit. Ky version është kopje e keqe e një versioni të Kontratës së punës, është shumë më i dëmshëm dhe shumë më i keq se sa Kontrata ekzistuese e punës, që e kanë punëtorët arsimor. Ky version, që po qarkullon, bie në kundërshtim edhe me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it, nr. 10/2015 për Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit Parauniversitar. Ky version i shpërndarë ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore.
SBASHK-u i drejtohet anëtarësisë, që kanë Kontrata pune në kohë të pacaktuar, me apelin që të mos e nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës, ngase ata kanë Kontrata të punës në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet gjë një Kontratë e re, e cila në vend që të shtojë ndonjë të drejtë, krijon mëdyshje , mjegull dhe ka tendencë të mohimit të të drejtave legjitime e të fituara me kohë. SBASHK-u i drejtohet publikisht punëdhënësve që ta tërheqin nga qarkullimi këtë version të ri dhe të takohen me SBASHK-un dhe nëse është nevoja, të përgatitim versionin e ri të Kontratës së punës, nëse do të shtojmë edhe ndonjë të drejtë të punëtorëve arsimor e nëse jo, atëherë ata kanë Kontratë pune në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet diçka më e keqe nga kjo që e kanë”, thuhet në komunikatë.