Në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, që u publikua më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova ka shënuar rënie për 19 pozita dhe këtë vit renditet në vendin e 75-të nga 180 shtete.
Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike “edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht. Gazetarët kritikë shpesh janë subjekt i sulmeve që synojnë diskreditimin e tyre si nga Qeveria, ashtu edhe opozita, dhe ata e kanë të vështirë të kenë qasje në informacione publike”, thuhet në raport.
Gazetarët janë kërcënuar dhe ishin cak edhe i sulmeve fizike gjatë raportimeve nga veriu i Kosovës dhe gjendja e rritur e tensioneve atje.
“Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport , ku gjithashtu potencohet fakti se mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha, pasi disa prej tyre varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar.
Në shumicën e rasteve, mediat private, përmes pronarëve të tyre, janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo atyre afariste.
Sipas të dhënave të prezantuara në raport, rënie kanë shënuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu, Shqipëria nga pozita e 91-të ka rënë në pozitën e 99-të, Bosnje e Hercegovina ka rënë nga pozita e 64 në pozitën e 81-të, Serbia nga pozita 91-të sivjet renditet e 98-ta, Maqedonia e Veriut nga vendi 36-të ka rënë në vendin e 38-të kurse Mali i Zi ka rënë për një pozitë dhe renditet në vendin e 40-të.