Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, Zekir Bytyqi, ka paraqitur sukseset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar drejtoria që ai udhëheq gjatë vitit 2018 .
Drejtori Bytyqi, theksoi se gjatë këtij viti janë regjistruar 100 biznese më shumë krahasuar me vitin paraprak, si dhe janë evidentuar 200 të punësuar më tepër sesa në vitin e kaluar.
“Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit këtë vit fokus të veçantë i ka kushtuar krijimit të Zonës Ekonomike, si dhe funksionalizimit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Një indikator i mirë për zhvillim të sektorit të biznesit në këtë vit është regjistrimi i 816 bizneseve të reja me 1 mijë e 284 punëtorë. Gjatë këtij viti filluam procedurat për themelimin e Zonës së parë Ekonomike në Ferizaj, është marrë vendim për themelimin e Zonës Ekonomike në Babush. Objekti i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tani është në fazën e renovimit dhe po merr formën e një qendre të zhvillimit ekonomik. Kemi siguruar fondin e buxhetit të vitit 2019 nga Ministria e Mjedisit për investim në zonën e fenomenit ”Bifurkacioni”, tha Bytyqi.
Bytyqi, njoftoi se nga sot do të nis së zbatuari platforma e cila ka për qëllim të ndikoj në rritjen e numrit të të punësuarve përmes subvencionimit direkt të bizneseve.
“Nga sot fillon të realizohet edhe një premtim i kryetarit Aliu ai i implementimit të platformës për përkrahjen e bizneseve të quajtur “Fondi i Punësimit”, platformë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e punësimit përmes subvencionimit direkt të bizneseve, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës dhe fuqizimin e bizneseve në fushën e prodhimit në komunën e Ferizajt. Nëpërmjet këtij projekti ne do të ofrojmë pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të rrisin biznesin e tyre. Vlera e një granti për një përfitues do të jetë 2 deri në 5 mijë euro shumë kjo e cila përfshinë edhe investimin nga përfituesit prej 20%. Në javën e parë të janarit do të ketë edhe sesion informues në sallën e Kuvendit të komunës së Ferizajt, andaj bëjmë thirrje publike për aplikim të bizneseve ferizajase” tha drejtori Bytyqi.
Bytyqi u zotua për mbështetje të bizneseve prodhuese, veçanërisht tani pas vënies së taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.