Verified
Promo – Verified – Episodi 5
Published
1 year agoon
By
webmasterYou may like
Verified
VERIFIED – Kosovarët nuk i ‘’hanë’’ rrenat për BE-në – Episodi 10
Published
9 months agoon
29 February, 2024By
webmasterMisioni i Bashkimit Evropian në Kosovë i kushton rëndësi të madhe identifikimit dhe luftimit të lajmeve të rreme në shtetin më të ri të Evropës. BE-ja ka misionin më të madh të jashtëm në Kosovë.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:
“Siç e dini, dezinformimi është vendosur lart në agjendën e BE-së. Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së ka Divizionin e Komunikimit Strategjik, i cili gjithashtu përfshin tri taskë-forca, njëra prej të cilëve është për Ballkanin Perëndimor dhe lidhet me dezinformimin. Andaj, çfarë ata bëjnë, identifikojnë, analizojnë dhe ngrehin vetëdijen për këtë fenomen dhe sesi shfaqet, përfshirë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe afërmendsh se ata krijojnë strategji sesi ta luftojnë dhe sesi të promovohen interesat strategjike të BE-së në rajon, sikurse edhe vlerat e BE-së. Natyrisht se nuk bëhet vetëm kjo punë, sepse kanë bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së, me institucionet tjera të BE-së. Natyrisht me të gjithë ne në terren, ta zëmë me Zyrën e Misionit të BE-së në Kosovë. Ata bashkëpunojnë me shoqërinë civile, me mediat, me aktorë tjerë ndërkombëtarë, me qëllim që të ketë një qasje mbarëshoqërore kundrejt kësaj çështjeje. Së fundmi, them afërsisht një muaj më parë, kanë nxjerrë raportin e dytë për manipulimin e jashtëm informativ dhe për kërcënimet e ndërhyrjes. Është një raport fort interesant, përfshinë, në të vërtetë hartëzon aktorët, aktorët e huaj, të cilët manipulojnë informimin dhe me qëllimin strategjik që të ndjellin konfuzion dhe frikë”.
Ioanna Lachana – Shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë
Korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel thotë se Bashkimi Evropian është dëshmuar i suksesshëm në luftën kundëër lajmeve të rreme, megjithëse janë të përhershme përpjekjet për ta mjegulluar gjendjen reale.
Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:
“Sa i përket Bashkimit Evropian dhe mënyrës dhe mjeteve me të cilat po lufton, brenda BE-së ka struktura që merren me fushata kundër fushatave të dezinformimit. Ato janë të suksesshme në identifikimin e lajmeve të rreme, janë të suksesshme në identifikimin e fushatave të dezinformimit, identifikojnë edhe mediat që përhapin ato. Disa prej atyre mediave janë ndaluar dhe janë nën sanksione të Bashkimit Evropian, por gjithsesi nuk është një detyrë e lehtë pasi që nuk është lehtë ta luftosh të pavërtetën se shpesh e pavërteta është shumë interesante dhe depërton në opinion. Thotë një fjalë popullore: Përderisa e vërteta i mbathë këpucët, rrenat tashmë i ka kaluar gjysmën e botës. Dhe me këtë parim Rusia po e bën propagandën e vet me një sukses të konsiderueshëm, do të thoja”.
Augustin Palokaj – Korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel
Sfidat me të cilat po përballen institucionet e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të ngjashme me ato me të cilat blloku evropian sprovohet edhe në skenën botërore, por ka edhe specifika të lidhura me zhvillimet lokale.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:
“Paj, sfidat me të cilat përballemi këtu, janë në të vërtetë sfida botërore. Janë botërore, janë përherë në ngritje dhe janë të ndërlikuara. Ta zëmë, derisa kishim këtë avancim dixhital dhe afërmendsh një ndryshim rrënjësor në spektrin mediatik, dhe natyrisht se kjo e demokratizoi pjesëmarrjen, solli edhe sfida. Tani po e shohim se këta aktorë dezinformimi po përdorin inteligjencën artificiale, po shohim video thellësisht të rreme, që të përmendim një shembull që ka qarkulluar me të madhe këtu në Kosovë; videoja e Elon Muskut, duke folur shqip goxha rrjedhshëm, madje larg më mirë se unë. Çështja është se ata e bëjnë këtë për të rrokur vëmendjen, e bëjnë këtë që të duken më të besueshëm. Çështja është çfarë bëjmë ne që ta luftojmë këtë; ne në Bashkimin Evropian në Kosovë e shohim këtë fenomen me një qasje gjithëpërfshirëse. Së pari, mundohemi ta kemi parasysh situatën e ngritjes së vetëdijes, bëjmë monitorim të gjerë të mediave, dëgjim të mediave sociale, dhe mu për këtë përdorim edhe burime njerëzore, por edhe një mjet të Inteligjencës Artificiale. Pos këtyre, me të detektuar se ka një kërcënim dezinformimi, rrekemi ta identifikojmë, e analizojmë çfarë qëndron prapa tij dhe dalim me një strategji si ta luftojmë para se kjo narrativë të përhapet. Strategji shumë e rëndësishme për ta luftuar këtë dezinformim është edhe komunikimi proaktiv, sepse nëse bëni komunikim më proaktiv, lini më pak hapësirë për aktorët dezinformues që narrativi i tyre të marrë dheun. Dhe afërmendsh, sikur që e dini mirë, BE-ja mbështet edhe mediat me qëllim që të bëhen më të pavarur, sepse kështu minimizojmë, sidomos me mediat me të cilat punojmë, sepse e dimë se nëpërmjet mbështetjes nga BE-ja, ato bëhen më të pavarura dhe më profesionale, si dhe të mos ketë dezinformata prej anës së tyre. Natyrisht se ne jemi angazhuar edhe me veprime të edukimit medial me qëllim që ta luftojmë këtë fenomen. Sidoqoftë, BE-ja, e vetme, nuk mund ta luftojë këtë fenomen në Kosovë. Siç e thashë edhe më parë na duhet një qasje gjithëpërfshirëse e shoqërisë. Ne punojmë bashkë me partnerë ndërkombëtarë dhe lokalë, me shoqërinë civile, sepse secili prej tyre, secili prej atyre mbrojtësve, mund të shtojë diçka shumë të kuptimshme në këtë ekuacion që të mund ta luftojmë dezinformimin”.
Palokaj thotë se dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian nuk është shoqëruar me lajme të rreme me ndikim, por thotë se palët dhe ndërmjetësuesit duhet të tregohen më transparentë me opinionin publik.
Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:
“Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mendoj se ka dezinformim, as nga Bashkimi Evropian, por as nga Kosova dhe Serbia në mënyrë direkte, Problemi qëndron te moskomunikimi. Moskomunikimi nga ana e BE-së, sepse lehtësueist e Bashkimit Evropian nuk japin shumë detaje dhe nuk ndërhyjnë kur palët japin interpretime të ndryshme. Ndërsa, edhe Kosova, edhe Serbia shpesh japin interpretime të ndryshme, madje edhe të kudnërta të asaj çfarë ka ndodhur në dialog, dhe kështu krijohet një huti, por ky është rezultat i mungesës së komunikimit, e jo i ndonjë fushate të qëllimshme të dezinformimit”.
Shumë ligjërues të gazetarisë dhe komunikimit po kërkojnë futjen e edukimit medial në sistemin arsimor. Edhe BE-ja mendon se duhet të ketë më shumë fushata vetëdijesimin për rolin e edukimit medial, sidomos në mesin e të rinjve.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:
“Nuk është se ka një qëndrim zyrtar (të BE-së), por qëndrimi ynë është padyshim se duhet të ketë më shumë edukim medial këtu. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm me të rinjtë, kjo lidhet gjithashtu me të gjithë, sepse gjatë gjithë jetës tonë jemi mësuar që ta marrim lajmin në një formë të caktuar. Brezat më të moshuar, ta zëmë, kishin disa burime lajmi. Më parë ishte më e lehtë që të kontrolloje dhe ta faktoje informacionin. Tani kur kemi një mal burimesh, duhet t’i edukojmë të gjithë se si duhet të informohemi, dhe që të faktojnë se lajmet që kanë marrë, janë lajme të vërteta. Kjo afërmendsh se lidhet më fort me brezat më të rinj, sepse siç e dimë, edukimi fillon prej moshës shumë të hershme dhe në momentin kur fëmijët mësohen prej moshës së hershme si të informohen, atëherë edukohen në aspektin mediatik prej një moshe shumë të hershme dhe do të jenë të zotë të ballafaqohen me sfidat me të cilat i kemi sot, shumë më lehtë se ne, që po mundohemi të rritemi bashkë me teknologjinë dhe që po mundohemi të përshtatemi me teknologjinë varësisht prej përparimit teknologjik”.
Qeveria e Kosovës ka nisur procesin e ndryshimeve ligjore për mediat që ofrojnë përmbajtje vizive. BE-ja i bën thirrje Qeverisë që çdo nisma ta harmonizojë me rregullativën evropiane meqë synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë
“Pra, Komisioni Evropian e ka spikatur shumë herë, herën e fundit edhe në raportin e fundit për Kosovën, se Ligji për Komisionin e Pavarur për Media duhet të jetë në përputhje të drejtpërdrejtë me Direktivën e BE-së për shërbimet vizuale. Afërmendsh se kjo duhet të bëhet në përputhje me lirinë e medias. Ne tashmë po e analizojmë këtë ligj si BE në Kosovë dhe do t’ua dorëzojmë komentet autoriteteve të Kosovës. Ne do të dëshironim që ky lobim të përshtatet në një procedurë të shpejtë, transparente dhe të hapur në konsultim dhe pjesëmarrje të plotë të organizatave gazetareske dhe natyrisht me shoqërinë civile”.
Bashkimi Evropian është mbështetësi më i madh financiar i Kosovës dhe Brukseli zyrtar e ka mbështetur Kosovën edhe për identifikimin e lajmeve të rreme në kuadër të asaj që ekspertët e sigurisë dhe të marrëdhënieve me publikun e skoniderojnë luftë hibride.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë:
“Pra, siç e dini, Misioni i BE-së në Kosovë është promotori më i madh i asistencës financiare këtu. Po jetësojmë një mori projektesh që synojnë më shumë transparencë mediatike, pluralizëm dhe edukim medial, veçanërisht vjet i kemi zbatuar dy projekte për të cilat jam fort krenare; njëri ka të bëjë me monitorimin e pronësisë së mediave, që hartëzon pronësinë e mediave në Kosovë. Andaj neve na duhet ta dimë se kush qëndron prapa përmbajtjes, si të presim që qytetarët të besojnë se lajmet janë të besueshme kur nuk e dimë se kush i prodhon. Një prej gjetjeve të këtij raporti është se ka njëfarë kontrolli mbi politikën redaktuese dhe se ai kontroll mund të jetë ose politik, ose, ta zëmë, ekonomik, që vjen prej bizneseve. Dhe në raportin që u publiku vjet – për të cilin ishte angazhuar BIRN-i, i cili u titullua “Tregimi i rrenave tona”, fokusohet në narrativin e dezinformimit që depërton në shoqërinë e Kosovës dhe në mesin e të gjitha komuniteteve të saj – njëra prej gjetjeve ishte se Kosova është e cenueshme nga faktorët e jashtëm edhe nga propaganda anti-perëndimore, anti-BE dhe anti-NATO. Ju e dini fort mirë se integrimi në BE mbështetet me të madhe në Kosovë, mbase mbi 90% e kosovarëve duan që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, megjithatë kjo narrativë vazhdon, kjo narrativë anti-BE. Madje mund të shpjerë drejt më pak reformave, më pak gatishmërisë për të ndjekur këtë shteg drejt BE-së, dhe narrativi tjetër është narrativi i rrezikshëm për një luftë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E panevojshme për ta thënë se ky lloj dezinformimi është tepër i rrezikshëm dhe u hedh benzinë tensioneve. Dezinformimi është kërcënim për shoqërinë tonë, është kërcënim për demokracinë tonë. Ne duhet ta luftojmë këtë betejë, sepse është betejë për sigurinë dhe praktikisht kjo është beteja e ditëve tona”.
Pranverë e nxehtë Bashkimin Evropian, ku në qershor do të mbahen zgjedhjet e Parlamentit Evropian, si institucioni më i lartë legjislativ i bllokut. Debati pritet të jetë goxha i fortë për shkak të ndryshimeve politike që tashmë janë shënuar në disa shtete e që mund të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian.
Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:
“Nga ekstremi i djathtë dhe nga ekstremi i majtë, por edhe parti që janë në pushtet në disa vende të Bashkimit Evropian, ndonëse nuk janë shumë. Gjithsesi kjo është një vërejtje në prag të zgjedhjeve evropiane dhe prandaj BE-ja dhe vendet anëtare janë më vigjilente në këtë kohë në prag të atyre zgjedhjeve që zhvillohen në muajin qershor”.
Ioanna Lachana, shefe e Zyrës për Komunikim të Misionit të BE-së në Kosovë
“Sa për zgjedhjet evropiane, selia jonë qendrore, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së, së bashku me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin Evropian, po punojmë bashkërisht me qëllim që të ofrohen informacione të besueshme për këto zgjedhje për publikun më të gjerë, për evropianët, por natyrisht edhe për mbarë botën. Siç mbase ju e dini, ky proces zgjedhor është më i madhi në botë sivjet pas atij në Indi. Andaj, piketat janë të larta, andaj po zhvillohet një fushatë informimi, një fushatë proaktive informimi, titulluar “Use Your Vote” (Përdore votën), për t’iu kërkuar evropianëve që të dëshmojnë sesi vota e tyre mund të bëjë dallimin në procesin e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Pos kësaj, këtu, do të organizojmë disa aktivitete, bashkë me shtetet anëtare të BE-së, për të ngritur vetëdijen për këtë proces demokratik. Njëherësh, përderisa zgjedhjet janë parakusht i shteteve anëtare të BE-së që t’i organizojnë mbarësisht, BE-ja do të monitorojë edhe hapësirën informative për shkak të përpjekjeve të mundshme dezinformuese që t’i qesin hije këtij procesi dhe nëse vërejmë diçka të ngjashme, atëherë ne menjëherë do ta analizojmë dhe do t’i kundërvihemi menjëherë, sepse ne duam që evropianët të marrin informacione të besueshme për këtë proces demokratik. Siç e dini, BE-ja ka edhe rregullat e veta që gjithashtu ndihmojnë qytetarët evropianë të jenë të sigurt në mjedisin on-line. Kombinimi i gjithë kësaj do të zbatohet edhe këtu në Kosovë, me qëllim që të sigurohemi se qytetarët do të kenë informacionet e duhura për këtë proces të madh demokratik”.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin më pro-Bashkimit Evropian në mesin e shteteve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Palokaj thotë se lajmet e rreme kanë dështuar të kenë ndikim në mesin e kosovarëve kur vjen puna te orientimi i tyre pro-integrimit në BE.
Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel:
“Kosova nuk është viktimë e ndonjë fushate kundër Bashkimit Evropian. Vetë faktui se qytetarët e Kosovës mbështesin me përqindje të madhe, ndoshta me përqindjen më të madhe jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën mbështesin integrimin në BE, dëshmon se nuk janë viktimë e ndonjë fushate kundër BE-së. Por, natyrisht kosovarët janë të zhgënjyer nganjëherë me faktin se Kosova po ngec në procesin e integrimeve evropiane. Dhe kanë një ndjenjë të padrejtësisë drejt Bashkimit Evropian për këtë çështje. Por kjo nuk është rezultat i ndonjë fushate të dezinformimit, qoftë nga mediat, qoftë nga ndonjë strukturë e caktuara politike, por është realitet. Mediat e Kosovës në përgjithësi kanë një qasje mjaft korrekte të raportimit të Bashkimit Evropian dhe raporteve politike për Kosovën. Edhe kur ka përplasje politike në relacionin BE-Kosovë, atëherë paraqesin pikëpamjet edhe të njërës, edhe të palës tjetër, por nuk kanë ndonjë tendencë për të krijuar ndonjë opinion negativ për Bashkimin Evropian dhe në këtë aspekt do të thosha se qytetarët e Kosovës janë relativisht në mënyrë reale të informuar për BE-në dhe nuk janë viktima të fushatave.
Verified
VERIFIED – Përmbajtja e paredaktuar e mediave sociale, shqetësuese për shoqërinë – Episodi 9
Published
9 months agoon
25 February, 2024By
webmasterOrganizatat joqeveritare, sidomos ato që organizojnë aktivitete profesionale e rekreative për persona me aftësi të kufizuara, thonë se bashkëpunimi me media gjithnjë ka qenë kritik për të ngritur vetëdijen kolektive për rëndësinë e integrimit të këtyre personave.
Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:
“Prej themelimit të tij domethanë ka pasur një raport të mirë me media. Vazhdimisht mediat kanë qenë ato që e kanë përcjellë çdo iniciativë, apo fushatë, aktivitet që është bërë në kuadër të aktiviteteve që bën Handikos-i. Deri më tash, nuk di që domethanë kemi pasur ndonjë kërkesë, apo diçka mediat lokale nuk na janë përgjigjur pozitivisht. Sa i përket përcjelljes së aktiviteteve tonë çfarëdo natyre qofshin”.
Enver Kosumi – Drejtor i Handikos Ferizaj
Megjithatë, ky bashkëpunim kërkon edhe kujdesin e veçantë të organizatave joqeveritare dhe mediave që të mos shkelen të drejtat themelore të personave që janë pjesë e aktiviteteve.
Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:
“Hendikos ka qenë në partneritet me ‘Save the Children’ qysh nga themelimi i tij dhe ‘Save the Children’ që strikt i zbaton dhe në kuadër të atyre politikave, edhe Handikos-i iu ka përshtat dhe çdo përfitues i joni që i merr shërbimet iu ka përshtat atyre. Paraprakisht informohet dhe nënshkruan deklarata të pranimit apo të mospranimit të publikimit qoftë të fëmijës, qoftë të rriturit me aftësi të kufizuar në kuadër të aktiviteteve që ne kërkojmë ose që i organizojmë. Parim i Handikos-it është ana pozitive e çdokujt, duke mos e atakuar atë pjesën e aftësisë së kufizuar në rend të parë, mirëpo gjithmonë fokusi jonë është te ana pozitive e përfituesit tonë, qoftë fëmijë, qoftë i rritur me aftësi të kufizuar. kështu që deri më tani është parim, thashë edhe ma herët, është parim i Handikos-it i njoftojmë se në kuadër të këtij aktiviteti ka me pasë edhe media, edhe personat që nuk e kanë të nënshkruar deklaratën, ose tërhiqen, ose në njëfarë forme largohen nga aktiviteti derisa të filmohet ajo pjesë. Domethanë në momentin që përfundojnë incizimet dhe fotografitë, atëherë fillojnë të jenë pjesë e aktivitetit”.
Por mediat sociale dhe ndikimi i përmbajtjeve, në shumicën e rasteve pa u redaktuar, po cenon shëndetin mendor të gjithë shoqërisë. Fëmijët, cak më i lehtë.
Hatixhe Misini, sociologe:
“Ndikimi i rrjeteve sociale ka ndikuar negativisht në komunikimin e drejtpërdrejtë. Thjesht sot i shohim gjithandej që komunikimi bëhet vetëm online. Madje shpesh me shaka e themi se edhe nëse dy fëmijë i ke në shtëpi, kjo ndodhë që i shohim se ata flasin me telefon dhe jodrejtpërdrejt. Komunikimi drejtpërdrejt, me farefisin, me miqtë, me familjen, me rrethin definitivsht është shumë i rrallë dhe kjo ndikon negativisht natyrisht dhe ne po i shohim fëmijët edhe me simptome të ndryshme në shëndetin e tyre. Thjesht shëndeti mendor është aspekt tjetër që mund të flasin profesionistët, por megjithatë izolimi në dhomë me telefon thjesht, mungesa e apetitit për t’u ushqyer, mungesa e dëshirës nganjëherë edhe për të ardhur edhe në shkollë, domosdoshmërisht na ka çuar të hulumtojnë që faktori numër një është komunikimi në rrjete sociale”.
Hatixhe Misini – Sociologe
Por shtrirja dhe ndikimi i madh i rrjeteve sociale ka vështirësuar edhe rolin e familjeve dhe institucioneve për shkak se të rinjtë, sidomos fëmijët e vegjël, mund të jenë cak i abuzimeve të ndryshme në kohën kur ata brendësojnë vlerat, shpesh të përcaktuara nga faktorë të panjohur.
Hatixhe Misini, sociologe:
“Përdorim ii internetit është bërë një shprehi e pashmangshme në ditët e sotme. Ky ndikim i pavëmendshëm si duket ka përfshirë krejt njerëzit, anembanë globit dhe më së shumti që po pësojnë janë të rinjtë, moshat e reja. Thjesht ju e dini se adoleshenca është një periudhë, ku fëmijët, të rinjtë janë në gjetje të vetvetes, janë në krijimin e personalitetit të tyre, identitetit të tyre, dhe kur në të kaluarën ata përfshinin në këtë qëllim familjet, shkollën, bashkëmoshatarët, sot fatkeqësisht ata përfshijnë edhe hapësirat kibernetike. Aty, ku nuk mund ta gjejnë veten, madje nganjëherë edhe e humbin atë. Natyrisht se nëse flasin veçanërisht për këtë grupmoshë, veçanërisht për të rinjtë, është definitivisht potenicalisht ka efekte të dëmshme, sepse si në sjellje, si në shëndetin e tyre, rrjetet sociale kanë ndikuar që ata të mos ta kenë një jetë normale, ashtu sikur se e kemi pasur ne dikur pranë librit, pranë lojës në oborr dhe pranë miqve, dajallarëve dhe axhallarëve. Thjesht ky ndikim ka të bëjë që sidomos moshat e reja, tashmë siç e dimë janë të izoluar pranë një ekrani dixhital dhe kjo është një sfidë shumë, shumë e madhe për familjet. Besoni që unë pasi që punoj edhe në shkollë, jam në kontakt të vazhdueshëm edhe me prindërit dhe gjithmonë e thonë atë që puna më e vështirë sot është për të rritur një fëmijë larg ekranit dixhital”.
Psikologia thotë se ka forma të ndryshme të bullizimit, që i thyen shpirtërisht fëmijët që kalojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale.
Selvete Abdullahu, psikologe:
“Në fakt edhe bullizimi është shumë i theksuar përmes mjeteve sociale se ekzistojnë forma të ndryshme të bullizimit, Për shembull është bullizimi fizik, ku zakonisht ose bullizimi po e marr si formë bullizimin e parë verbal që është përmes bisedave me konotacion negativ, përmes fyerjeve, ofendimeve, përmes uljes poshtë, përmes uljes së vetëbesimit të viktimës. Mandej, fillon në rrjete sociale, mandej fillon edhe në formën live kur shihen dy persona, e zgjasin atë pjesë të konfliktit, të themi në fillim të konfliktit dhe nxitjes, dhe tani fillon edhe një dhunë fizike, një bullizim fizike. Mandej duke e rrahur ose goditur viktimën. Poashtu fillon edhe bullizimi tjetër. Format e bullizimit elektronik që janë kur dy persona marrin pjesë, ose bullizimi tjetër që është bullizimi social, duke formua grupe, duke e ndarë prej grupit personin. Në fakt, të rinjtë, ose të miturit nuk e ndjejnë sesa e lëndjnë personin tërtër, duke përdorur fuqinë e tyre në këtë rast si djem të fortë, ose si vajza të forta, nuk e dinë sesa është lënduese, sesa është demotivuese për viktimën bullizimi dhe format tjera të bullizimit”.
Selvete Abdullahu – Psikologe
Sociologia Misini thotë se as familja e as shoqëria ende nuk ka një qasje të duhur për t’u përballur me pajisjet që po rrezikon të neutralizojë tërësisht kufirin ndërmjet reales dhe imagjinares.
Hatixhe Misini, sociologe:
“Një trajnim i duhur do të ishte edhe për vetë prindërit, sepse jemi në një qorrsokak, një sfidë e madh ekur askush nuk di të na orientojë se kur ta kapim telefonin dhe kur ta lëmë atë. Vërtetë është sfiduese siç e thashë. Prindërit po provojnë të zhvillojnë lloj-lloj metodologjie për t’i rritur fëmijët, por po e kanë të vështirë për t’i lënë një orë ose dy orë larg telefonit. Definitivisht jo vetëm fëmijët, për këtë gjendje siç ka ardhur, për këtë hapësirë kibernetike, për këtë jetë dixhitale siç po i themi, vërtetë është sfiduee edhe për të mëdhenjtë, sidomos për të rinjtë. Po them për fëmijët sepse janë të vegjël, ende nuk janë të pjekur dhe definitvisht nuk dinë ta ndajnë realitetin nga fantazia”.
Selvete Abdullahu, psikologe:
“Mësimdhënësit duhet të jenë shumë motivues, sidomos ta të ciklit të ulët, sepse janë hapat e parë të fëmijëve drejt zhvillimit të tyre fizik, psiqik, emocional, të mësimnxënies, prandaj është shumë esenciale mësimdhënësit të jenë ndëshkues aty ku duhet të jenë ndëshkues, por jo në forma të rënda, por ndëshkues me notë, ose me notë sjelljes, ose me diçka, por edhe të jenë shumë motivues, të ndajnë drejtësi, të kenë rolin jo vetëm si të mësimdhënësit, por edhe si të prindërit, por edhe si të psikologut. Të përdorin metoda, metoda që i parandalon ata fëmijë që janë më hiperaktivë, më ngucakeq, që nuk janë të interesuar fort për mësim, por edhe t’i motivojnë fëmijët që janë më të interesuar për mësim, që janë më të qetë, që dinë të menaxhojnë veten. Domethanë ta kenë një menaxhim sa më të mirë të klasës, por tash s’mund t’i përgjithësojmë të gjithë. Nuk janë kategori e njëjtë, sepse varet edh eprej personalitetit, karakterit të mësimdhënies, prej gjendjes së tij psiqike, emocionale, por zakonisht mësimdhënësi çështjet, problemet, por edhe çështjet e tjera jashtë shkollës duhet t’i lërë në shtëpi, ose në shoqëri, ose ku i ka. Ndërsa në shkollë duhet të përkushtohet 100 për qind nxënësve dhe të jetë shumë gjykues i mirë”.
Kosumi mendon se edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duhet t’i trajnojë gazetarët që të kenë kujdes me mënyrën sesi i paraqesin personat me aftësi të kufizuara.
Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:
“Deri tash, domethanë, ne si Handikos e kemi një faqe që e menaxhojmë ne vetë dhe kryesisht informatat që i japim, aktivitetet që i publikojmë, gjithçka, nuk ka ndodhur me shkëput diçka prej kontekstit, qoftë, pozitiv, po se po, por jo në aspektin negativ. PO vërehet një tendencë e madhe e shfrytëzimit e personave në fjalë, për shembull, personave me aftësi të kufizuar, rasteve të margjinalizuar, duke i intervistuar në mënyrën joadekuate dhe jodinjitoze. Unë e kuptoj se edhe bamirësia e ka anën e vet pozitive, mirëpo bamirësia nuk do të thotë duhet patjetër ta qesim anën negative të personit që e merr atë ndihmë. nëse dikujt tentojmë t’i bëjmë me i ba mirë, atëherë duhet ta bëjmë me dinjitet, pa e publikuar shumë, pa e dhanë aspektin, pa e prek integritetin e tij personal se Ferizaj dhe krejt Kosova është shumë e vogël, për shembull, me përballu gjithë këtë fluks të informatave që po jepen kohëe të fundit nëpër rrjetet sociale apo në platformat mediatike.
Besoj se Asociacioni i gazetarëve duhet të nxjerrë një kod më specifik, ku duhet të paktën të mos i jepet gjithkujt e drejta me dalë në shesh, qoftë kudo që të jetë, për shembull, edhe me ataku një person i cili nuk është i gatshëm me u përgjigj në do pyetje dhe me shkëput prej kontekstit se po e dimë se në çfarë jemi duke jetuar ku bullizmi është në kupën ma të naltë për momentin në Kosovë, dhe mundet me ardhë deri te më e keqja, ndoshta edhe deri te vetëvrasje nëse arrin dikush të bullizohet, apo të merr jehonë aq të madhe prje një informate që ai i jep ndoshta pa vetëdije, apo me ndonjë gjendje jo të vetëdijshme plotësisht”.
Hatixhe Misini, sociologe:
“Edhe gazetarët, sikur të gjitha profesionet e fushat, i ka edhe limitet, por i ka edhe përgjegjësitë e punës që i bën në terren, qoftë edhe brenda nëpër institucione. Natyrisht se këto ndikojnë. Pa marrëveshjen e prindit, pa verifikimin e fakteve, gjithmonë ne jemi të prirë të hulumtojmë më tutje dhe të mos ekspozojmë gjëra që nuk na takojnë dhe që nuk janë në përgjegjësinë tonë. Natyrisht se këto janë të dëmshme për shoqërinë, si për ata që i prek personalisht”.
Psikologia paralajmëron prindërit dhe institucionet për pasojat negative të rrjeteve sociale në mesin e fëmijëve.
Selvete Abdullahu, psikologe:
“Emocionalisht, psiqikisht, fizikisht është shumë e rëndë për një fëmijë që ka qenë viktimë e një bullizimi të tillë, pa marrë parasysh cilës formë të bullizimit. Normalisht, thashë edhe më herët, është një pjesë demotivuese, është një pjesë që e shkëput, ia ul vetëbesimin, ia ul forcën e brendshme të atij fëmije, sepse është shumë e rëndë për një fëmijë qysh në moshë të re me u ngelizhu prej shokëve dhe shoqeve, me u nënçmu. Ai mendon se për shembull diçka nuk shkon mirë me të. Në fakt nuk ka asnjë arsye të veçantë që ai fëmijë me u bullizu. Në raste të tilla, fëmijët zakonisht duhet të flasin me prindërit, të shprehen lirshëm me prindërit, ose të kenë ndonjë shok më të fuqishëm më afër që i mbron interesat e tij, nuk e le me shkelë fëmijën, seps enë këtë rast të bullizimi se nëse një fëmijë fillon të bullizohet, ai fëmijë normalisht që nuk është i qetë. I bie vetëbesimi dhe ai fëmijë, pasojat e atij bullizimi, kanë me ndjekë edhe një periudhë shumë më të gajtë gjatë jetës së tij”.
Hatixhe Misini, sociologe:
“Problemi nuk është te rrjetet sociale, problemi është te varësia, ngecja në to dhe mosekulibirimi i jetës tonë me jetën sociale. Prandaj ne e dimë se edhe MInistria e Arsimit ka bërë strategji dhe udhëzime administrative. Ne në shkollë fillore në Ferizaj e kemi të ndaluar telefonin në shkollë. Kjo është mënyra e vetme sesi mund ta parandalojmë nje ekspozim të tillë në telefon, apo diçka që mund të ndodhë prej telefonit. Natyrisht kjo iu mbetet vetëm familjeve. Do t’iu kisha bërë thirrje, sikur se iu bëjmë thirrje edhe çdo ditë në shkollë që familjet janë ato të cilat duhet me domosdoshmëri të ndikojnë, ta shtrojnë ndikimin te fëmijët e tyre që telefonin ta kenë më pak në dorë, sepse absolutisht është diçka e pamundur që telefoni të hiqet nga dora dhe fëmijët tanë të mos jenë të përfshirë nëpër rrjete sociale”.
Por rasti i fushatës së suksesshme në rrjete sociale i dy vajzave nga Hani i Elezit në Gjermani për mbledhjen e fondeve për mbështetjen e ndërtimit të qendrës me bazë në komunitet në Ferizaj, është një prej shembujve sesi mund të përdoren për mirë mediat sociale.
Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:
“Po ajo u kanë një storie e suksesit shumë e mirë, domethanë, ata njerëz pa e përdorur aspektin e mëshirës, domethanë kanë arritur që nëpërmjet një platforme online të mbledhjes së fondeve, me kriju një shikueshmëri aq të madhe, saqë brenda 20 ditësh kanë arritur t’i tubojnë 20 mijë euro për m’i sjellë për ndërtimin e një qendre, qendrës së Handikos-it këtu në Ferizaj”.
Por për shembuj të tillë frymëzues duhet të ketë më shumë emisione dhe hapësira promovimi, thotë drejtori i Handikosit dhe psikologia Abdullahu.
Enver Kosumi, drejtor i Handikos Ferizaj:
“Mediat, rrjetet sociale përveç aspektin personal që mundesh me përdorë, mund të përdoren edhe për gjëra të mira, domethanë për avancimin dhe afirmimin e njohurive, të arriturve. Thjesht në kuptimin e fjalës se rrjetet sociale duhet ta kenë prioritet domethanë paraqitjen e gjendjes pozitive, të shoqërisë dhe të aktiviteteve që mbahen dhe në asnjë rrethanë domethanë nuk duhet të shfrytëzohen fatkeqësia e dikujt tjetër për me arritë ti një qëllim tanin, qoftë human, qoftë material të individëve që i menaxhojnë këto rrjetet sociale”.
Selvete Abdullahu, psikologe:
“Është shumë e rëndësishme me u mbajtë fushata sensibilizuese, emisione me profesionistë të fushës, me i tregu… me u mbajtë projekte ose programe, ose orë nëpër shkolla për dukuritë negative në shoqëri, duke fillu prej bullizimit, prej ndikimit të rrjeteve sociale, efektet negative të rrjeteve sociale dhe shumë tema të tjera”.
Edhe në këtë emision ju sjellim një lajm të rremë, që është përgënjeshtruar nga platforma për verifikimin e fakteve “hibrid.info”.
Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “Gazeta-Shqip.com” më 18 shkurt ka publikuar një artikull me titullin “TRONDITËSE! 46-vjeçari masakron babanë me sharrë elektrike dhe lajmëron policinë: E vrava…”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Greqi.
Nisur nga fakti që ky portal informativ është i regjistruar në Shqipëri dhe përmbajtjet e publikuara nga ky portal janë në gjuhën shqipe, titulli në fjalë, lë vend për keqinformim te lexuesit se ngjarja ka ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse.
Për të vërtetuar edhe më tej faktin se ngjarja ka ndodhur në Greqi, hibrid.info ka gjetur artikullin origjinal të publikuar nga mediumet greke “protothema.gr” dhe “hellaspostsen.com”.
Në artikullin e publikuar me datë 18 shkurt nga këto mediume bëhet e ditur se në qytetin Teskala të Greqisë, një 46 vjeçar ka vrarë babanë e tij me një sharrë elektrike.