Kremtimet për Krishtlindje fillojnë sonte në mesnatë. Për këtë festë të gëzimit dhe të shpresës për besimtarët e krishterë, kisha katolike ”Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, ka bërë përgatitjet e nevojshme.
“Sot ne jemi në vigjilje të pritjes së festës ku pas katër javësh përgatitje këndohet për të parën herë sot në orën 23:00, lavdi Zotit në qiell dhe paqe njerëzve në tokë, janë dy komponente që i japin shije jetës, duaje Zotin, duaje të afërmin, në këto dy parime është e tërë teologjia dhe mësimi krishterë, nuk mund ta duash Zotin nëse nuk e vëren atë që e ke afër. Kisha katolike këtu në Ferizaj ku unë jam famullitar, jemi përgatitur në mënyrë intensive edhe me meshë, siç quhet e agimit në ora 6:00 të mëngjesit, ndërsa në ora 23:00 kemi program me fëmijë ku do të këndohet për paqe dhe nderim Zotit, ndërsa nesër dita e Krishtlindjeve nga ora 12:00 do të bëjmë pritjen për të ndarë së bashku gëzimin me mysafirët”, tha Sopi.
Në vigjilje të kësaj feste, famullitari i kishës “Engjëlli i Rojës”, Don Viktor Sopi, uroi për më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim e tolerancë në mes të njerëzve.
“Dëshiroj që qytetarët e Ferizajt ta duan qytetin më shumë dhe të merren me gjëra pozitive më shumë që pozitiviteti i tyre intelektual, kulturor dhe edukativ të kalon tek brezat e ri, sepse nëse ndalemi vetëm në kritikë ajo na bëhet si pjesë e të jetuarit dhe menduarit, por të mendojmë për perspektivat tona që kemi një rini të mrekullueshme që mos të dëshirojnë vetëm botën perëndimore sepse bota perëdimore ka me qenë këtu, dëshiroj që të duhemi më shumë mes vete dhe atë dashuri ta bëjmë pjesë të jetës së përditshme”, tha Sopi.
Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë të cilin Perëndia e ka zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.
Në komunën e Ferizajt jetojnë mbi 120 familje të besimit katolik.