Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka shpallur top-ndërmarrjet më konkurruese të vitit 2018. Përzgjedhja e ndërmarrjeve është bërë duke u bazuar në kriteret e punësimit, eksportit, veprimtarisë së ndërmarrjeve, kontributeve tatimore dhe aksionarëve. Në mesin e 21 ndërmarrjeve më të suksesshme është edhe Fabrika e Tubave të Plastikës në Ferizaj ”Ferplast”.
Pronari i kësaj fabrike Sadik Krasniqi, tha se nga vlerësimet e bëra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, kanë arritur të zgjedhen në mesin e ndërmarrjeve më konkurruese për këtë vit, edhe pse nuk kanë qenë në dijeni për një gjë të tillë.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bazë të vlerësimeve të veta, jo në formë të konkurrimit, por i ka marrë dokumentacionet prej ATK-së, prej Doganës, Trustit ka bërë vlerësimin dhe ka ardhë në përfundim se firma jonë i plotëson kushtet për me marrë mirënjohje për vitin 2018, bazë për këtë ka qenë se kemi zero obligime ndaj shetit, zero obligime ndaj punëtorëve, ndaj furnizuesve tanë, si dhe jemi një ndër firmat që 43% të shitjes e kemi në eksportin rajonal duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë dhe disa vende të tjera, pra këto ishin ato kritere që ata i kishin marrë për bazë për të vlerësuar, ndërsa ne nuk kemi qenë të njoftuar deri në momentin kur na kanë lajmëruar se do të na e japin këtë mirënjohje”, tha Krasniqi.
Krasniqi, tha se ndjehen të lumtur që institucionet kanë vlerësuar punën dhe mundin e tyre, duke u zotuar se ky biznes do të vazhdoj të kontribuoj në ekonominë e vendit.
“Ky çmim është një çmim që neve na bën me u ndje mirë për arsye se na kanë vlerësuar se jemi firmë serioze, na bën mirë se ndihemi si kompani që jemi tejet stabile edhe sa i përket likuiditetit financiar jemi në një pozitë shumë të mirë dhe kështu presim që të kemi edhe një shtytje në zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë sonë. “Ferplast”-i kurrë nuk pushon, gjithmonë mendon për zhvillim dhe të gjitha ato të arritura që i bën në biznes tenton t’i rikthej menjëherë në ekonomi duke bërë përpjekje që gjithnjë të zgjerojmë sferën e prodhimit”, tha Krasniqi.
Kompania “Ferplast” e cila është e themeluar në vitin 1996, posedon 15 linja të prodhimit me një numër prej 105 punëtorëve.