”X21” është kafeneja ku shërbimi nga punëtorët bëhet me më shumë dashuri se në cilindo vend tjetër. Kjo kafene e hapur në kuadër të qendrës ”Down Syndrome Kosova”, ka të punësuar Besnikun dhe Nelën, të cilët punën e tyre e kryejnë me shumë përkushtim dhe përgjegjësi. Besnik Halili, i cili është punësuar këtu që nga hapja e këtij lokali, thotë se puna që bën po ia shton motivin për jetën.
“Unë e bëj punën time, shërbej çaj dhe kafe, më pëlqen shumë puna këtu dhe kam shumë vullnet për jetë”, tha Halili.
Menaxherja e qendrës ”Down Syndrome Kosova” në Ferizaj, Yllka Mani, tha se hapja e kësaj qendre në këtë qytet, u ka mundësuar personave me sindromën doën marrjen e shumë shërbimeve të munguara.
“Me hapjen e qendrës së re është rritur numri i shërbimeve dhe i fëmijëve që e frekuentojnë qendrën tonë, po ashtu edhe numri i vullnetarëve dhe interesimi i qytetarëve është më i madh, po ashtu edhe i komunës, ku kemi nënshkruar një marrëveshje për financim të disa shërbimeve këtu. Tani pjesa e terapisë së zhvillimit u ndihmon në pavarësimin e tyre dhe aftësimin, ndërsa tek pjesa e logopedisë i ndihmon në fushën e të folurit dhe fizioterapia në pjesën fizike ku ata i kanë disa vështirësi, nevojat që këta kanë janë të mëdha dhe ne po mundohemi të punojmë sa më shumë me ta”, tha Mani.
Megjithatë, Mani theksoi nevojat që ka kjo qendër.
“Nevojat kryesore janë me u rrit aktivitetet që ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të këtyre personave, pastaj mbështetja tek pjesa e punësimit tek të rriturit, mandej kurset dhe trajnimet e ndryshme për të cilat janë të nevojshme. Ne bëjmë apel tek institucionet dhe donatorët që me përkrah këtë qendër që ne me arrit me i siguru shërbimet brenda qendrës”, tha Mani.
Kurse, prindërit e personave me sindromën down, u shprehën të kënaqur me shërbimet që marrin fëmijët e tyre në këtë qendër.
“Jemi shumë të kënaqur, vajza ime po merr shërbime shumë të mira, kisha kërkuar nga prindërit që të angazhohen, mos të dorëzohen pasi suksesi nuk mungon”, tha Behare Shaqiri-Sejdiu.
Sipas të dhënave që ka kjo qendër, në komunën e Ferizajt janë rreth 100 persona të prekur nga sindroma down, ndërsa shërbime në këtë qendër marrin rreth 30 persona.