Taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina, po mirëpritet nga prodhuesit kosovarë, të cilët prodhimet e tyre i shesin kryesisht përmes tregjeve të gjelbra nëpër Kosovë. Prodhuesit ferizajas që sot kishin ekspozuar produktet e tyre në tregun e këtushëm, thanë se efekti i kësaj takse ende nuk është i dukshëm, por një gjë e tillë do të vërehet shpejt, nëse taksa ndaj prodhimeve serbe vazhdon të mbetet në fuqi.
“Gjendja është normale, nuk ka ndikuar edhe shumë taksa, por është ende vetëm fillimi, por po besojmë se me kohë do të ndikoj taksa dhe do të ketë shitje më të madhe të produkteve tona”, tha prodhuesi Herolind Krasniqi.
“Është e njëjta gjë, por vetëm pak çmimet janë ngritur, siç është patatja, tani çmimi i saj është rreth 35-40 cent, ndërsa vitin e kalur ka qenë 25 cent, ndoshta pak janë ngritur çmimet, por është mirë që është vënë taksa, madje duhet me rëndu edhe më shumë Serbinë, është dashur më herët me vu këtë taksë”, tha prodhuesi Isa Kozhani.
“Shitja është normale nuk po dallohet shumë, mirë është që është vënë taksa se nuk kemi pas nevojë ne për mallra të Serbisë, kemi mallra tona sa të duash që nuk po kemi ku me i lënë”, tha Fazli Krasniqi, tregtar.
“Kultivojmë lakër, qepë edhe patate, janë prodhime tona të gjitha, është mirë që janë ndalur pak produktet e Serbisë, pasi tani është shitja më e mirë, kemi edhe vullnet më shumë”, tha Qazim Shabani, prodhues.
Ndërkaq, blerësit theksuan se pas vënies së taksës ndaj produkteve serbe, po kanë më shumë kujdes gjatë blerjes, duke e shikuar prejardhjen e produkteve të konsumit.
“Taksa është shumë e mirëseardhur pasi iu kontribuon edhe prodhuesve vendor dhe rritet prodhimi dhe bëhet edhe punësimi i të rinjve, unë kisha thënë që mos me u heq taksa kurrë, madje edhe të shtohen edhe masa të tjera, po ashtu po jam më i kujdesshëm, po i kontrolloj produktet gjatë blerjes mos është e Serbisë”, tha Ilmi Berisha.
“Tani po i shikoj më shumë produktet, po mundohem me i ble sa më shumë prodhimet tona, se shumë produkte i kemi tonat siç janë qepët, patatet, e shumë të tjera dhe pse mos t’i blejmë tonat, nuk duhet kurrë me heq këtë taksë derisa të na njoh Serbia”, tha Nexhat Halabaku.
Sipas një hulumtimi të Aleancës Kosovare të Biznesit të publikuar para disa ditësh, që nga 21 nëntori kur Kosova ka vendosur tarifën doganore prej 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia, ky shtet ka humbur 21 milionë euro.