Mungesa e buxhetit të qëndrueshëm të strehimores për viktimat e dhunës, është njëra nga sfidat me të cilat u përballen këto qendra edhe gjatë këtij viti që po lëmë pas. Kështu u tha sot në një tryezë të organizuar në Ferizaj me temën “Roli i institucioneve të nivelit lokal mbi ngritjen e bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të strehimit për viktimat e dhunës në rajonin e Ferizajt”. Udhëheqësja e strehimoreve “Shtëpia ime” në Kosovë, Sevdije Bunjaku, tha se institucionet lokale dhe ato qëndrore nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i ndihmuar këto qendra.
“Shpresojmë dhe kemi nevojë për një përkrahje nga të gjitha komunat e rajonit të Ferizajt. Strehimorja jonë në Ferizaj e ka për obligim që të ofroj një vend të sigurtë dhe të qetë, ku viktima do të ndihet e mbrojtur derisa t’i bëhet një zgjidhje më afatgjate deri në kthimin e jetës së saj të përditshme. Natyrisht nuk përfundon çdo gjë me strehimin e viktimës, përkundrazi aty gjithçka fillon, prandaj për të ndihmuar rimëkëmbjen e viktimës bashkëpunimi institucional është mëse i domosdoshëm”, u shpreh ajo.
Koordinatori nacional për mbrojtje nga dhuna në familje Naim Qelaj, tha se vetëm gjatë këtij viti, në strehimoret e viktimave të dhunës në Kosovë janë strehur 426 viktima, prandaj sipas tij, rritja e buxhetit për këto institucione është shumë e nevojshme për të pranuar dhe trajtuar numrin e madh të viktimave që lajmërohen në to.
“Unë kam kërkuar që shpallja apo thirrja publike për aplikim për grante me qenë gjatë muajit dhjetor dhe shpresoj se nuk jemi vonë dhe kjo do të realizohet brenda këtij muaji. Në anën tjetër, pas përpjekjeve të mëdha kemi hasur në mbështetje që na ka ofruar Ministria e Financave ku për herë të parë kanë futur në planifikimet e tyre buxhetore grante specifike për çështje sociale dhe këtu komunat kanë mundesi për të bërë shumë duke krijuar politika për ta rritur mirëqenien sociale, sidomos të këtyre kategorive në stituata shumë të vështira”, tha Qelaj.
Ndërkaq, Adile Shaqiri zyrtare e lartë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vuri në pah vështirësitë me të cilat ballafaqohen zyrtaret që punojnë në këto qendra të strehimit të viktimave të dhunës.
“Ato janë profesioniste që punojnë 24 orë, 7 ditë në javë me viktimat e dhunës në familje, prandaj e them se jeta e tyre nganjëherë merr kuptim tjetër, pasi që gjatë gjithë kohës janë me viktimat. Ne s’di sa po ia arrijmë për ta kuptuar angazhimin dhe punën që po bëjnë këto zyrtare“, u shpreh Shaqiri.
Sipas mbrojtësit të viktimave në kuadër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Ibrahim Tërstena, në rajonin e Ferizajt brenda vitit 2018 janë raportuar mbi 130 raste të dhunës në familje. Në gjithë Kosovën thuhet se gjatë vitit që po lëmë pas janë raportuar mbi 1 mijë raste të dhunës në familje dhe këto statistika tregojnë se ka një rritje në krahasim me vitet e kaluara. Ndërkaq, konsiderohet se këtij numri të madh i ka kontribuar rritja e vetëdijësimit për të raportuar dhunën ku viktima në shumicën e rasteve janë gratë, por ka pasur raste edhe kur burrat kanë kërkuar ndihmë si viktimë.
Ndryshe, edhe pse ishin paraparë si panelistë të kësaj tryeze ku u diskutua për viktimat e dhunës, aty nuk morën pjesë as kryetari i komunës e as nënkryetari.