Mbeturinat të cilat janë hedhur nëpër rrugët e qyetit të Ferizajt, u mblodhën sot nga vullnetarët e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”. Pjesë e këtij aksioni ishin edhe pjestarë të KFOR-it.
Joseph Brown, komandant i Ekipit Monitorues-Ndërlidhës në Ferizaj (LMT), tha se aksionet e tilla që kanë për qëllim pastrimin e qytetit do të përkrahen gjithherë nga ta.
“Më ka pëlqy ideja për pastrim dhe kemi pas dëshirë me qenë pjesë e këtij aktiviteti dhe ne iu kemi bashkëngjitur, ka pasur shumë mbeturina, por edhe kemi mbeldhur shumë, ne do t’iu bashkohemi këtyre aksioneve çdoherë, duke i ndihmuar komunitetit në çdo mënyrë”, tha Brown.
Erona Hamitit nxënëse e gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”, kërkoi nga bashkëmoshatarët e saj të kontribuojnë në pastrimin e Kosovës.
“Si të gjithë të rinjtë edhe unë kam dalë me pastru Kosovën dhe jam e kënaqur që po marrë pjesë në këtë aksion, i kisha ftuar të gjithë të rinjtë e Kosovës që ta pastrojmë Kosovën dhe ta kemi një ambient më të mirë për vete”, tha Hamiti.
Udhëheqësi i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, Besnik Shabiu, tha se gjatë këtyre muajve sa ka zgjatur ky aksion, janë larguar mbi 20 mijë ton mbeturina dhe 800 deponi ilegale.
“Ky aksion ka filluar nga 15 shtatori dhe deri sot janë diku afër 800 deponi ilegale që janë larguar dhe mbi 20 mijë ton mbetje që janë larguar gjithandej territorit të Kosovës, po shpresojmë që pas pastrimit të gjitha ato hapësira dhe deponi ilegale që janë pastruar të gjithë bashkë do t’i mirëmbajmë dhe nuk do të lejojmë të kthehen në gjendjen çfare kanë qenë”, tha Besnik Shabiu.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, i nisur gjatë muajit shtator do të përfundoj pas dy dite. U tha se pas pastrimit të hapësirave nga mbeturinat dhe deponitë ilegale, do filloj pastrimi i ujërave.