Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se seanca e parë për tre të dyshuarit është caktuar për 3 dhjetor, në orën 9:30.
“Murseli e ka porositur vrasjen”
Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.
“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
“Do ta zhvarrosim trupin”
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.
“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.
Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se familjarë të Liridonës, synojnë ta zhvarrosin trupin e së ndjerës nga Gjakova, ku është varrosur, pas dyshimeve se bashkëshorti ka dorë në vrasjen e saj.
Liridona Ademaj, jo Murseli
Në reagime e sipër në rrjete sociale, disa kanë kërkuar që Liridona të njihet me mbiemrin e vajzërisë, Ademaj, dhe jo Murseli, të familjes së burrit.
Disa janë shprehur të alarmuar me dhunën kundër grave, disa i kanë vënë fajin mendësisë patriarkale për raportimet sistematike për dhunë, dhe kanë kërkuar më shumë siguri për gratë.
Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, më 3 dhjetor është thirrur një protestë pas vrasjes së Liridonës.
Në orën 11:30 është planifikuar të mbahet një marsh drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë, me thirrjet ndal femicidin.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, apo normave të dëmshme shoqërore.
Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.
Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.
Në aktivitetin e mbajtur më 27 nëntor, të titulluar “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.
Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.
Në periudhën 2010-2022 në këtë shtet janë vrarë 50 gra.
Në Kosovë, rastet e dhunës në familje mund të raportohen në numrin 0800 19 999.
Linja telefonike e Mbrojtësve të Viktimave është 0800 11 112
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale duke i hapur kështu rrugë shtrenjtimit të rrymës.
Në takimin e sotëm të këtij bordi nuk u bë e ditur përqindja e rritjes por ZRRE-ja tha se për këtë do të njoftojë ditëve në vijim derisa tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.
Sipas Radio Evropa e Lirë, çmimi i rrymës do të rritet deri në 16 %.
Ndërkohë, nën moton “Asnjë cent më shumë”, në Prishtinë ka filluar protesta e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Prodhimi i energjisë elektrike në vend është rënduar ndjeshëm në 24 orët e fundit, pasi dy blloqe të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë ndalur për shkak të rrjedhjeve të ujit ndërsa dy të tjera tash e një kohë janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar.
Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” i cili prodhon rreth 120 MW është ndalur mbrëmë në mesnatë (08.04.2025, ora 23:59), si pasojë e problemeve të ndjeshme me humbje të ujit dhe ndalja e këtij blloku është bërë për të shmangur defekte më të mëdha.
Kurse mëngjesin e sotëm për arsye të ngjashme është ndalur edhe blloku B2 i Termocentralit “Kosova B”, i cili prodhon rreth 250 MW por njëkohësisht edhe furnizon me ujë ngrohjen qendrore në Prishtinë.
Sipas KEK-ut, rikthimi në funksion i këtij blloku pritet të zgjasë rreth 48 orë.
Aktualisht në KEK janë duke u prodhuar vetëm 115 MW nga 900 MW sa është kapaciteti i tërësishëm i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre zyrtare ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në letrën e publikuar në media, si datë e mundshme e takimit është propozuar 9 përkatësisht data 10 prill.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025.
Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.
Ende nuk dihet nëse Albin Kurti i ka dërguar të njëjtën letër edhe ndonjë subjekti tjetër parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.