Debati publik rreth hartimit të hartave zonale të komunës së Ferizajt vazhdoi sot, kryesisht me njohës të fushës së ndërtimit. Drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, para të pranishmëve propozoi disa ide që vlerëson se janë të domosdoshme për t’u inkorporuar në këtë dokument.
“I kam disa ide që koeficientin e ndërtimit me kushtëzu me sipërfaqe të parcelave, unë e kisha kufizu kënaqshëm 45 %, pastaj e kisha nda me sipërfaqe të shfrytëzimit të tokës, shembull 20 ari me qenë minimum, mirëpo tash prej 20 arit me qenë koeficineti në rritje, shembull në 20 ari koeficienti me qenë 4, në 30 ari koeficienti 5, me këtë i kishim eliminu edhe pengesat e banorëve të cilët po bëjnë ndërtime në 1-2 ari, ose ata që kanë pak ari mos me i vu kushte investitorit, le të mbetet me 5 apo 10 ari, por le të dihet se nuk mundet me ndërtu më, le të mbetet me 20 ari, por koeficientin do e ketë 4 dhe kështu do të bëhet interesi i të gjithëve me u bë 70 ari dhe kështu koeficienti me u bë 7”, tha Aliu.
Propozimet e tyre i paraqitën edhe njohësit e fushës së ndërtimit që morën pjesë më këtë diskutim publik.
“Rrugët paralele janë rrugë 6 metra dhe vija ndërtimore e përparme, prapa dhe anësore besoj se duhet me u trajtu me kujdes pasi vijmë tek fenomeni siç është në rrugën “Sejdi Sejdiu” ku nuk e kap as dielli”, tha një pjesëmarrës.
“Të gjithë po ndalemi tek një ndërtesë, ndërsa fare nuk po e përmendim një bllok banimor në bllokun urban, se kemi caktuar sa ndërtesa formojnë një bllok banimor, të gjitha këto fare nuk i kemi marrë që me iu fut hartave zonale, ndërsa koeficientin kisha dashur ta heqim prej rendit të ditës pasi është keqpërdor shumë, ne që merremi me këtë punë e dimë mirë sa është gjerësia e një objekti banimor, e dimë që nuk ka shans 60% i saj, ndërsa profilet e rrugës me largësi diktohen automatikisht, sa është lartësia aq dhe duhet të jesh i larguar nga rruga”, tha Arsim Murseli.
“Forma dhe dukja e fasadave është një linjë pothuajse e njëjtë në secilën formë ku thuhet se fasada duhet me qenë ngjyrë e bardhë dhe forma katore, me këtë nuk pajtohem, besoj se duhet me u ndryshu pasi fasada në zonat urbane duhet me iu përshtat dizajnit urban të asaj lagjeje, pra në bazë të parcelave fqinje”, tha një tjetër pjesëmarrës.
Ndërsa, nga Ministria e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor treguan obiligimet që ka komuna e Ferizajt në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për qytetin.
“Pas secilës fazë jeni të obliguar ashtu siç e parasheh ligji të organizoni punëtori 2-3 ditore dhe të shtjellohen të gjitha problemet që i keni në komunë, besoj se edhe materialin nuk e ka pas askush këtu që të japin sugjerime, kështu që në bazë të ligjit ju sugjeroj që pas secilës fazë të organizoni punëtori”, tha Suzana Goranci nga MMPH.
Qytetarët e komunës së Ferizajt kanë kohë edhe 10 ditë t’i paraqesin propozimet e tyre për hartimin e hartave zonale.