Kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 e mbështetën shumica e delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Në takimin që u mbajt në Heraklion të Greqisë, nga 66 delegatë pjesëmarrës, pro kandidaturës së Kosovës votuan 55 sish, tetë ishin kundër ndërsa tre delegatë abstenuan.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur triumf të jashtëzakonshëm të sportit kosovar, pasi që Kosova ka fituar të drejtën për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare 2030.
Në postimin e saj, presidentja Osmani ka përgëzuar Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.
“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë. Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.
Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!” ka shkruar presidentja Osmani.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur arritje të jashtëzakonshme vendimin që Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në një prononcim menjëherë pas votimit të Asamblesë, Kurti tha se Kosova do të punojë fuqishëm që të jetë gati për këtë organizim dhe të presin mijëra sportistë e sportdashës në Prishtinë.
I pari i Qeverisë së Kosovës tha do të bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë për organizim sa më të mirë të këtyre lojërave, derisa shtoi se janë planifikuar edhe linjat buxhetore që do të tejkalojnë shumën prej 250 milionë euro.