Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. Kështu u vendos në takimin e sotëm të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), i cili u mbajt në Heraklion të Greqisë.
Kandidatura e Kosovës për organizimin e këtij manifestimi sportivu prezantua nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.
Kandidaturën e Kosovës e mbështeti edhe Shqipëria, pasi disa nga ngjarjet sportive do të mbahen edhe atje. Para takimit të sotëm, ICMG-ja ndryshoi rregulloren sipas së cilës shteteve pa dalje në det nuk u lejohej organizimi i Lojërave Mesdhetare.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur arritje të jashtëzakonshme vendimin që Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai i ka uruar të gjithë qytetarët për këtë arritje.
Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
“Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare ku pritet të marrin pjesë sportistë nga 26 shtete përfshirë edhe disa prej tyre që nuk e njohin Kosovën.
Për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive, Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro.
Vitin e kaluar Lojërat Mesdhetare u mbajtën në Oran të Algjerisë kurse ato të vitit 2026 do të mbahen në qytetin Taranto të Italisë