Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë tutje synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në Tiranë, Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha etapat e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Shqipërisë.
“Kjo sfidë kërkon përkushtim dhe veprime të sinkronizuara për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Si në të kaluarën, presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në vendet dhe forumet ku ende nuk jemi pjesë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja përmendi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, NATO, BE, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare. “Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, theksoi Presidentja Osmani.
Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, përkundër sfidimit të hapur në rrafshin e sigurisë dhe institucional nga Serbia, ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dy shtete të pavarura dhe fqinje.
Andaj rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës, ka thënë mes tjerash presidentja e Kosovës.