Edhe sivjet në kuadër të festave të nëntorit, Drejtoria komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, organizoi turnirin tradicional në volejboll me femrat e institucioneve publike të Ferizajt.
Hapjen zyrtare të këtij aktiviteti e bëri drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit Xhemile Murati-Shabani, duke e vlerësuar tejet lartë këtë aktivitet sportiv.
“Është kënaqësi për mua që të jem pjesë e këtij aktiviteti kur para vetës shoh femrat e institucioneve komunale. Ky është një shembull i mirë për të gjitha gratë, por edhe për gjeneratat e reja që të jenë të inkuadruara në sport, pavarësisht punës parësore ta kenë edhe sportin si motivim dytësor, sepse në këtë formë do ta kemi edhe një shëndet më të mirë”, tha ajo.
Në këtë turne morën pjesë vetëm katër ekipe, nga Gjykata, nga Policia, Spitali dhe QKMF-ja, si dhe Qendra për Punë Sociale. Ky fakt u kritikua nga pjesëmarrëset, pasi që thanë se pretendojnë që ky turnir tradicional të rritet sa i përket pjesëmarrjes.
“Ne sot po kalojmë shumë mirë, për herë të parë ne si Qendër për Punë Sociale kemi marrë pjesë në këtë turnir dhe po na pëlqen pa masë. Pavarësisht që s’jemi sportiste apo lojtare të mira në volejboll, këtu kemi ardhë me shumë seriozitet dhe po luajmë po kënaqemi dhe uroj ta marrim edhe kupën pse jo”, u shpreh Merita Xhemajli nga QPS-së.
“Këto aktivitete kanë një rëndësi të veçantë, sepse përveç punës primare që e bëjmë ne këtu takohemi dhe normal që e zhvillon një bashkëpunim edhe më të mirë ndër institucione që veprojnë në Ferizaj, por ajo që është brengosëse është fakti që as sivjet nuk kanë marrë pjesë femrat e shumë institucioneve që veprojnë në këtë qytet dhe vit pas viti turniri po zhvillohet pothuajse me të njëjtat ekipe”, tha Luljeta Selmani nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, përveç numrit të vogël të ekipeve të volejbollit, edhe numri i shikuesve la shumë për të dëshiruar.