Në kuadër të aktiviteteve të sotme që u shënuan për 50 vjetorin e demonstratave të vitit 1968, në Qendrën e Kulturës të këtij qyteti, u promovua libri “Vorbullave të Historisë” nga autori ferizajas Abdullah Zymberi. Ky libër i cili përshkruan ngjarjet historike dhe sakrificën e popullit shqiptar prej vitit 1968 e deri në vitin 1999, u tha se lexuesit i sjellë fakte që tregojnë se komuna e Ferizajt la gjurmë në kohë, duke u bërë shpeshherë pikëtakim i shumë aktiviteteve me peshë historike për kombin shqiptar. Redaktori Rrahim Sadiku, vlerësoi se libri “Vorbullave të Hisotrisë” trajton kryesisht ngjarje madhore, luftëra që e nderuan kombin dhe ata udhëheqës që u shndërruan simbol për kombin.
“Ky libër shpalos guximin shqiptar gjatë shekujve dhe sakrificat madhore për liri dhe atdhe, ato janë të dukshme dhe të dokumentuara kudo. Qëndresa kundër pushtimit sllav e grek dhe dëshira për të pamundësuar ndarjen trojeve shqiptare nga vendimet që u morën në Shën Stefan, në Kongresin e Berlinit, shkaktuan një vrag të këqijash për shqiptarët, edhe pse këto troje të copëtuara shqiptarët nuk u nënshtruan kurrë plotësisht, nuk u dorëzuan, nuk u lodhën dhe nuk e ngushtuan respektin, krenarinë për qenien shqiptare”, tha Sadiku.
Vlerësime për librin, dhanë edhe kritik letrar të kësaj ane.
“Një pjesë e konsiderueshme e librit “Vorbullave të Historisë” lidhet me Ferizajn dhe me të kaluarën e me ngjarjet e rëndësishme historike që ndodhën në të. Autori na jep të dhëna për fillet e jetës së këtij qyteti, për lidhjet e menjëhershme të këtij vendbanimi me rrjedhat historike të kohës dhe me rolin e rëndësishëm që ka Ferizaj e rrethina me Lidhjen e Prizrenit, në kryengritjen e vitit 1900-1912 kundër synimeve të perandorisë osmane dhe shteteve fqinje”, tha Banush Imeri.
“Dikush ose shumëkush mund të shtroj pyetje pse shumë po merremi me të kaluarën dhe proceset e saja. Unë mendoj se duhet të merremi se shumë procese historike për dhjetëra arsye ende i kemi të paqarta, të paqëndrueshme në këmbët e veta dhe të mjegulluara që kërkojnë sqarime“, u shpreh Enver Zhinipotoku.
E, autori i librit “Vorbullave të Historisë”, Abdullah Zymberi, tha se këtë libër e ka shkruar duke u bazuar në përvojën e gjatë politike, nga leximi i shumë veprave, si dhe nga mbajtja e shënimeve personale.
“Viti 1968 ishte vit sharmant në të gjitha fushat dhe asnjëherë nuk mbeti borxh në lëvizjet e tyre. Ai vit edhe një herë i riaktualizoj shqiptarët e asaj kohe që janë ende skllavë të modernitetit evropian”, tha ai.
Në këtë promovim libri morën pjesë qytetarë të shumtë, shumica prej të cilëve pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968.