Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, po bën përgatitjet e fundit për aktivitetet që do të shënohen gjatë këtij muaji në këtë qytet. Drejtoresha e kësaj drejtorie Xhemile Murati-Shabani, tregoi rreth agjendës së këtyre aktiviteteve.
“Më 26 në komunën e Ferizajt shënohet 50 vjetori i demonstratave të vitit 1968 si një ngjarje e cila bëri një kthesë mjaftë të rëndësishme në historinë e Kosovës, prandaj në këtë datë janë të parapara disa aktivitete si homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, pastaj homazhe tek pllaka përkujtimore, si dhe akademia solemne ku do të ketë pjesën foljore dhe pjesën artistike. Ndërsa, si ngjarje tjetër mjaftë e rëndësishme që organizohet për nder të 28 nëntorit është festivali “Kosovarja Këndon” i cili do të mbahet më datën 27 nëntor, një festival i cili ka arritur të ruaj traditën, ndërsa në këtë vit ky festival i ka tejkalur përmasat që ka pasi përpos kandidateve nga Kosova do të ketë edhe nga trevat e tjera shqiptare”, tha Murati-Shabani.
E pyetur për dështimet e Klubit të Futbollit ”Ferizaj” në çdo ndeshje, ajo theksoi se komuna e ka mbështetur mjaftueshëm këtë klub.
“Sa i përket Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Klubi i Futbollit të Ferizajt e ka pasur gjithmonë mbështetjen e drejtorisë aq sa ka këkruar, me transport pothujase i kemi përkrahur të gjitha klubet pa përjashtuar edhe Klubin e Futbollit të Ferizajt, poashtu klubi përkrahet edhe nga donatorët, unë po shpresoj se në të ardhmen do të kemi suksese edhe më të mëdha”, tha ajo.
Drejtoresha Murati-Shabani, e vlerësoi të suksesshëm këtë vit sa i përket aktiviteteve kulturore që janë mbajtur në Ferizaj.