Në Ferizaj nisi sot asfaltimi i rrugës “Drita”. Përveç asfaltimit, aty u investua edhe në rregullimin e infrastrukturës nëntokësore. Drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se kushtet e favorshme atmosferike kanë ndikuar që projektet infrastrukturore në Ferizaj të realizohen pa ndonjë problem.
“Në kuadër të asfaltimit të rrugicave të qytetit, gjegjësisht në kuadër të lotit të parë të projektit, bëhet fjalë për asfaltimin e diku rreth 50 rrugicave, gjegjësisht fillimin e asfaltimit të 50 rrugicave. Bëhet fjalë për një projekt në vlerë prej 450 mijë euro ku do të asfaltohen gjithsej rreth 7 kilometra rrugë, ndërsa sa i përket këtij projekti që është duke u implementuar, ne sot po fillojmë me asfaltimin e rrugës “Drita”, gjatë ditëve në vijim do të asfaltohen edhe dhjetë rrugica tjera dhe në kuadër të këtij projekti do të kemi asfaltim, gjegjësisht rregullim të infrastrukturës nëntokësore dhe bëhet fjalë për një projekt rreth 100 mijë euro. Deri në këto momente kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme dhe për këtë arsye ne kemi shfrytëzuar këto kushte atmosferike që të bëjmë asfaltimin e këtyre rrugicave dhe disa rrugicave tjera dhe disa projekte tjera që janë duke u zhvilluar në komunën e Ferizajt”, tha drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Këtë investim e mirëpritën edhe banorët, mirëpo shfaqën shqetësim për mosasfaltimin e rreth 10 metrave, për shkak të kundërshtimit nga një banor i asaj lagjeje.
“Jena kanë në lloç, tani është shumë mirë, na i lanë nja 10 metra qatje, po prapë mirë është”, tha Musë Limani.
“Rruga ka qenë katastrofë, por e kanë lënë pak nja 10 metra”, tha një banor, tjetër.
Drejtues të Infrastrukturës paralajmëruan se nëse kushtet atmosferike vazhdojnë të jenë të tilla, punime të ngjashme do të realizohen edhe gjatë ditëve në vijim.