Objekti me një kosto mbi 2 milionë euro, i përuruar hiç më larg se dy vite më parë, po paraqet shqetësim për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës ekonomike ”Faik Konica” në Ferizaj. Në këtë objekt, që u pat thënë se është ndërtuar sipas standardeve evropiane, reshjet e shiut janë shndërruar në trishtim për këtë shkollë, për shkak se i gjithë uji depërton brenda. Drejtori i kësaj shkolle Idriz Ademi, ankohet se problemet me objektin po ndikojnë në procesin mësimor.
“Edhe sot e kësaj dite ato probleme janë evidente, siç është pikja e kulmit, dyshemeja është e dëmtuar, nxemja ende nuk është ashtu siç duhet, dritaret nuk janë të mbyllura mirë, depërton i ftohti dhe të gjitha këto po ndikojnë edhe në procesin mësimor”, tha Idriz Ademi, drejtor i shkollës ekonomike “Faik Konica”.
Drejtori Ademi, tha se kërkesat drejtuar institucioneve kompetenete për këto probleme, janë të shumta.
“Kemi bërë kërkesa edhe njoftime në Drejtorinë e Arsimit dhe në Minsitrinë e Arsimit, por vetëm për nxemje kanë zgjuar interesim dhe kanë angazhuar një ekspert të nxemjes të cilët kanë bërë një raport, ndërsa për sanimet e tjera ende jo”, tha Idrizi.
Në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj, thonë se mosintervenimi në këtë shkollë po ndodhë për shkak të mospranimit teknik të objektit.
“Ne e kemi njoftuar Ministrinë e Arsimit, kemi bërë edhe shkresë, por ata në vazhdimësi janë arsyetuar me atë se nuk është bërë pranimi teknik dhe derisa të evitohen ato defekte që janë paraqitur në shkollë nuk do të bëhet kjo. Së fundmi që kemi pasur takimin e fundit, unë kam kërkuar që së paku nxemja të na rregullohet, ata kanë kërkuar nga ne që ne të gjejmë një ekspert të termos dhe ta konstatojmë gjendjen se si është, ne e kemi bërë një gjë të tillë, e kemi dërguar një ekspert në shkollën ekonomike dhe tashmë është bërë një raport dhe e ka drejtori i shkollës dhe atë raport do ta dërgojmë në ministri në mënyrë që ata të na lejojnë që së paku të intervenojmë në nxemje, edhe pse në fakt neve nuk na takon, por ata na kanë sugjeruar që ne ta bëjmë një raport të tillë dhe ata me na leju neve që së paku me intervenu te nxemja, ndërsa për intervenime të tjera kemi mbetur në proces”, tha Afrim Llabjani.
Probleme me depërtimin e shiut brenda shkollës po paraqiten edhe në shkollën fillore “Vezir Jashari”, e cila gjendet jo shumë larg asaj ekonomike.