Connect with us

Kosovë

1 Maji – Papunësi dhe mungesë punëtorësh

Published

on

Një Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës – e gjen Kosovën me shifër më të ulët të papunësisë, krahasuar me vitet e kaluara, por me mungesë punëtorësh në disa sektorë.

Nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Të dhënat për gjithë vitin 2021 tregojnë se shkalla e papunësisë ka qenë mbi 20 për qind.

Sipas ASK-së, nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Pavarësisht këtyre shifrave, punëdhënësit kanë raportuar – sidomos gjatë viteve të fundit – vështirësi për të gjetur punëtorë për pozita të caktuara.

Me këtë problem janë përballur më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.

Në platformat online, nëpërmjet të cilave kërkohen punëtorë, aktualisht ka mijëra vende të lira pune.

Vetëm në platformën ‘superpuna’ të Qeverisë së Kosovës, e cila është vënë në funksion në muajin shkurt me qëllim punësimin e të rinjve, janë nxjerrë afër 5 mijë vende të lira pune brenda dy muajsh.

Po ashtu, në dyert dhe dritaret e bizneseve janë bërë të shpeshta shpalljet përmes të cilave kërkohen punëtorë.

Pse ka rënë interesimi për të punuar?

Me mungesë punëtorësh përballet sidomos sektori privat, i cili njëherësh është edhe punëdhënësi më i madh në Kosovë – me mbi 220 mijë punëtorë.

Interesimi i qytetarëve për të punuar në këtë sektor ka rënë për disa arsye. Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës dhe disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë me punëtorë të sektorit privat, ata janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.

“Me vite të tëra kemi tërhequr vërejtjen se sektori privat nuk po trajtohet as për së afërmi sipas Ligjit të punës. Në mungesë të respektimit të të drejtave, shumë punëtorë kanë hequr dorë nga puna”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Rreth 105 mijë punëtorë marrin pagë minimale


Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro. Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me këtë shumë paguhen rreth 105 mijë punonjës.

Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj.

Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor të vitit të kaluar, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Ky projektligj nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.

Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 484 euro.

Në fillim të shkurtit të këtij viti, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.

Aftësohen në Kosovë, synojnë tregun e BE-së

Shumë të rinj në Kosovë, përgjatë viteve, janë aftësuar në profesione të ndryshme në Agjencinë e Punësimit – institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.

Përmes shtatë qendrave të saj nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera.

Por, shumë të rinj që aftësohen në këto qendra, largohen nga Kosova, për t’u punësuar jashtë vendit.

Udhëheqës të këtyre qendrave kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se shumë prej tyre synojnë tregun e Bashkimit Evropian.

Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje.

Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

Arsyet e emigrimit kanë qenë të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi.

Mungesa e punëtorëve ka detyruar, pastaj, disa biznese në Kosovë që të kërkojnë punëtorë prej jashtë vendit.

Në tetor të vitit të kaluar, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për kompaninë ‘Viprint’ nga Mitrovica, e cila ka punësuar punëtorë nga Bullgaria, Turqia dhe India, për të ofruar shërbime të shtypshkrimit.

Si ndikon mungesa e punëtorëve në ekonomi?

Shoqatat ekonomike në Kosovë, të cilat përfaqësojnë bizneset, kanë paralajmëruar se mungesa e punëtorëve do të bëhet një nga pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë.

“Për të zbutur problemin duhet të bëhen përpjekje nga të gjithë – duke filluar nga institucionet deri te punëdhënësit, të cilët duhet të shqyrtojnë, para së gjithash, nivelin e pagave”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka.

Kosova, prej vitesh, përballet me probleme ekonomike. Rritja ekonomike në vitin 2022 ka qenë 3.5 për qind.

Sipas të dhënave të Grupit të Bankës Botërore, Kosova, në vitin 2023, pritet të ketë rritje ekonomike 3.7 për qind.

Nxitës të zhvillimit ekonomik pritet të jenë kryesisht konsumi privat, eksportet dhe investimet publike./REL

Kosovë

Shtrenjtohet rryma, tarifat e reja nga 1 maji

Published

on

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale duke i hapur kështu rrugë shtrenjtimit të rrymës.

Në takimin e sotëm të këtij bordi nuk u bë e ditur përqindja e rritjes por ZRRE-ja tha se për këtë do të njoftojë ditëve në vijim derisa tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Sipas Radio Evropa e Lirë, çmimi i rrymës do të rritet deri në 16 %.

Ndërkohë, nën moton “Asnjë cent më shumë”, në Prishtinë ka filluar protesta e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Continue Reading

Kosovë

Rëndohet situata energjetike pas rënies së dy blloqeve të KEK-ut

Published

on

Prodhimi i energjisë elektrike në vend është rënduar ndjeshëm në 24 orët e fundit, pasi dy blloqe të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë ndalur për shkak të rrjedhjeve të ujit ndërsa dy të tjera tash e një kohë janë jashtë funksionit për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar.

Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se Blloku A3 i Termocentralit “Kosova A” i cili prodhon rreth 120 MW është ndalur mbrëmë në mesnatë (08.04.2025, ora 23:59), si pasojë e problemeve të ndjeshme me humbje të ujit dhe ndalja e këtij blloku është bërë për të shmangur defekte më të mëdha.  

Kurse mëngjesin e sotëm për arsye të ngjashme është ndalur edhe blloku B2 i Termocentralit “Kosova B”, i cili prodhon rreth 250 MW por njëkohësisht edhe furnizon me ujë ngrohjen qendrore në Prishtinë.

Sipas KEK-ut, rikthimi në funksion i këtij blloku pritet të zgjasë rreth 48 orë.

Aktualisht në KEK janë duke u prodhuar vetëm 115 MW nga 900 MW sa është kapaciteti i tërësishëm i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Continue Reading

Kosovë

Kurti i propozon Abdixhikut takim për të mërkurën ose të enjten

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre zyrtare ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në letrën e publikuar në media, si datë e mundshme e takimit është propozuar 9 përkatësisht data 10 prill.

“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025.

Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.

Ende nuk dihet nëse Albin Kurti i ka dërguar të njëjtën letër edhe ndonjë subjekti tjetër parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Continue Reading

Trending