Për të shënuar dhe përkujtuar të gjithë kontributdhënësit e demonstratave të vitit 1968, komuna e Ferizajt po organizon një aktivitet në kuadër të 50 vjetorit të kësaj ngjarje të rëndësishme me peshë historike. Njëri nga anëtarët e këshillit organizativ të këtij aktiviteti Nebih Jashari, tha se demonstratat e vitit 1968 kanë mbetur në memorien kolektive, si një ndër kthesat më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, duke shtuar se që nga ajo kohë, shumë gjenerata kanë bartur mbi supe idealin e këtyre demonstratave deri në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Këshilli qendror organizativ ka organizuar disa manifestime në Prishtinë, kurse sipas mundësive edhe tek komunat ku janë zhvilluar atëherë këto demonstrata më 27 nëntor të vitit 1968, kemi paraparë të organizojmë tubime, manifestime të ndryshme, shpërndarje të mirënjohjeve. Kështu shënimi i 50 vjetorit të kësaj ngjarje në Ferizaj do të bëhet nën patronatin e kryetarit të komunës, po ashtu kemi përkrahje edhe nga niveli qendror pasi që do të bëhet edhe promovimi i një libri për demonstratat e 68-tës për tërë Kosovën dhe në trojet e tjera shqiptare, se përpos Ferizajt, Pejës, Podujevës, dhe Prishtinës ato janë organizuar në Tetovë, Ulqin e Preshevë“, tha Jashari.
Në demonstratat e vjeshtës së vitit 1968, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hodhën kërkesat për flamurin e lirë kombëtar, Kosovën Republikë, për Kushtetutë dhe vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duke u përballur me regjimin e rreptë policor në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Prandaj, për pjesëmarrësin e këtyre demonstratave Nebih Jashari, ato protesta shënuan një ngjarje të rëndësishme historike të përpjekjes së rinisë dhe të tërë popullit shqiptar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.
“Po deri në vitin 1968 shqiptarët janë frikësuar nga pushteti dhe me kundërshtu pushtetin ka qenë absurde për atë kohë, prandaj atëherë ishte hera e parë kur të rinjtë dolën në këto demonstrata dhe kërkesa e nxënësve të shkollave të mesme dhe rinisë studentore ku ata me këmbëngulje vendosën që të organizojnë këto demonstrata për t’i treguar botës që nuk janë duke jetuar në ato iluzione që mendonin në botë, që shqiptarët në Jugosllavi dhe të tjerët jetonin në mënyrë të barabartë, prandaj me këto demonstrata u bë një kthesë e madhe ku vazhdoi më pas deri tek kryengritja e armatosur e UÇK-së“, tha Jashari.
Sipas shkrimeve të publikuara për demonstratat e vitit 1968, kërkesat dhe parullat kryesore të demonstruesve ishin “Duam Republikë”, “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitet”, “Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, “Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim”, etj. Pas këtyre demonstratave pati zhvillime të rëndësishme si: u shpejtua themelimi i Universitetit të Kosovës në Prishtinë, u hapën Institutet Shkencore, u hap Akademia, u krijua një hapësirë më e gjerë politike dhe një mundësi institucionale për veprim, si dhe u rrit veprimtaria botuese, kulturore, arsimore, shkencore etj.
Per ta kujtuar këtë ngjarje historike, komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës, fton të gjithë qytetarët e Ferizajt dhe më gjerë të marrin pjesë në aktivitetet që do të organizohen më datën 26 nëntor .