Për më shumë se një vit fondacioni “Dr. Sami Spahiu”, bashkë me shoqatën “Hendifer” në Ferizaj, çdo muaj ndihmojnë 16 familje në nevojë.
Udhëheqësja e kësaj shoqate Fazile Bungu, thotë se ky fondacion gjatë këtij viti ka ndihmuar rreth 60 familje me pako ushqimore në vlerë prej 50 euro, si dhe ka ndarë shuma financiare për nxënës dhe studentë për t’ua mundësuar shkollimin.
“Ne në terren ofrojmë edhe shërbime sociale tek 65 persona, por për këtë e falënderojmë fondacionin “Dr. Sami Spahiu” që na ka dalë në ndihmë me ushqim për 16 familje, artikuj ushqimor dhe artikuj higjienik, po ashtu një familjes ia siguron për dy fëmijë mujoren për udhëtim për t’u shkolluar, ndërsa këtë muaj kemi hasur në mirëkuptim ku fondacioni ka ndarë një bursë për një anëtare tonën që të vazhdoj fakultetin”, tha Bungu.
Bungu tha se falë mbështetjes që po jep ky fondacion, vullnetarëve të shoqatës ”Hendifer” u është lehtësuar puna në terren.
“Kjo është shumë e mirë për shoqatën, por më e mirë është për komunitetin, se aktiviteti jonë po zhvilllohet më lehtë se që është zhvilluar më parë për arsye se vullnetarët tanë në terren ofrojnë edhe përgatitjen e ushqimit, bëjnë edhe mirëmbajtjen e objektit ku ata jetojnë dhe me këto ndihma është shumë më lehtë, po ashtu kjo ndihmesë nga qytetarët po pritet shumë mirë duke i pasur parasysh nevojat e tyre”, tha Bungu.
Në shoqatën “Hendifer” janë të regjistruar rreth 1700 persona, 420 prej të cilëve vijnë nga komunat përreth.