Kaluan 6 muaj që kur Kuvendi Komunal i Ferizajt me shumë urgjencë pati miratuar parcelën për destinimin e varrezave të qytetit, por që nga maji i këtij viti e deri më sot, në vendin ku parashihet destinimi i varrezave të qytetit në Fshatin e Vjetër, nuk ka lëvizur asnjë gur. Ndërkaq, të vdekurit vazhdojnë të varrosen në varrezat e qytetit po në atë gjendje të cilën pushtetarët ferizajas e patën paralajmëruar si alarmuese sa i përket mungesës së hapësirës. Drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, njoftoi se janë në përfundim të hartimit të projektit.
“Sa i përket projektit të varrezave jemi në fazën e fundit të përfundimit të projektit detal dhe pas kësaj faze do të fillojnë edhe procedurat e tjera për shpalljen e tenderit dhe zgjedhjen e kompanisë fituese, pastaj edhe implementimin. Për këtë vit ne do ta bëjmë të qasshme pjesën ku është e ndarë për varreza, do ta bëjmë hapjen e rrugës me zhavor dhe më pas do të krijohen hapësirat për varrezat e atyre që do të varrosen në atë zonë”, tha Bytyqi.
Bytyqi, e pranon se gjendja vazhdon të jetë urgjente, pasi që varrezat e qytetit tashmë janë në fazën kritike të hapësirës dhe zotohet se shumë shpejt zgjidhja do të bëhet në Fshatin e Vjetër.
“Ende është emërgjencë dhe për atë ne do të krijojmë kushte fillestare, kjo do të bëhet në ditët në vijim dhe besoj që brenda një periudhe të shkurtër mund të varrosen të vdekurit në atë zonë dhe pastaj do të mund të vazhdojmë me projektin që e kemi për atë lokacion, i cili parasheh investime të një tipi të parkut andej”, tha Bytyqi.
Ndryshe, në shtator të këtij viti komuna e Ferizajt pati publikuar disa fotografi të një plani se si do të duken varrezat e qytetit, ku sipas këtij plani, aty parashihen rreth 30 mijë vend-varre të ndara në 35 blloqe. Në njoftimin e komunës u pat thënë se prezantimin e këtij plani të organizimit dhe dukjes së tyre, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit Lulzim Aliu, e ka bërë në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Drejtorëve, pasi ky dokument ka marrë formën finale pas konsultave me ekspertë të fushës së urbanizmit dhe mjedisit. Varrezat e reja të qytetit kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 21 hektarësh, ku përveç vendeve për varre, pjesa tjetër përfshinë hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë përcjellëse, godinat e riteve fetare, si dhe 240 vendparkingje.