Gati pa ra terri, me buxhet të komunës së Ferizajt në lagjen e re të qytetit u shtruan disa rugica me asfalt. E, për t’i parë nga afër punimet, i pranishëm ishte edhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu. Ai tha se moti i mirë ka bërë qe qeverisja lokale të përmbush shumicën e synimeve që ka pasur për investime në infrastrukturë. Aliu u lavdërua se pushteti i tij po i realizon projektet pa vonesa.
“Këtu ku jemi jemi në rrugët “Ali Asllani”, ”Alishefik Spahiu” dhe në rrugën ”Arsim Zeqiri”, projekte keto qe kishin nisur muaj me pare dhe kjo tregon se ne deshirojme jo vetëm të realizojme projekte, por edhe t’i përfundojmë ato me kohë, pasi që edhe po shkaktohet bezdisje tek qytetarët, por edhe po ngrakohen procedurat e kryerjes se shpenzimeve ndaj operatorëve ekonomik. Pra, ne po dëshmojmë se e kemi arritur kete qëllim dhe si rezultat i ketyre investimeve keto lagje do te kene nje pamje krejtësisht te kompletuar, pasi qe ketu do te kete edhe trotuare, po ashtu edhe jane hequr gypat e azbestit”, tha Aliu.
Në këto lagje ku sot asfaltoheshin disa rrugica, ditëve të fundit ka pasur edhe ankesa nga qytetarët që ndërtimet e shumta kanë dëmtuar pothuajse shumë rrugë këndej pari. I pari i Ferizjat, pati përgjigjie dhe për këtë problematikë.
“Unë dëgjoj zakonshëm këtë pyetje dhe dëgjoj pikërisht nga ata qytetarë që jetojnë në ndërtesa të vjetra te ndërtuara para disa dekadave dhe mund të pyes se si janë ndërtuar ato, pikërisht edhe ato janë ndërtuar me makineri të peshave të rënda dhe ne nuk mund t’i shmangim dot mjetet e rënda, por ajo që ne do të kujdesemi është që do t’i zhvillojmë këto projekte dhe t’i vendosim shenjat ku nuk lejohen peshat e rënda dhe pastaj është detyrë e policisë që të merret me këtë problematikë”, tha Aliu.
E, derisa kryetari Aliu çdo ditë po viziton punët e terrenit, sidomos kur bëhen asfaltimet, u pyet nga gazetarët se sa është i kënaqur me cilësinë e punimeve, mirëpo ai nuk pati ndonjë përgjigjie konkrete, veç se tha për çdo devijim të projekteve firmat kontraktuese do të marrin vërejtjet e merituara, gjë të cilën nuk dihet se komuna e ka bërë deri më tani, duke publikuar ndonjë listë që vërteton se firmat kanë marrë vërejtje ose janë ndëshkuar për shkak të asfaltimeve të dobëta.