“Teshavesha”, është dyqani bamirës i cili u mundëson qytetarëve që rrobat e përdorura të mos i hedhin në mbeturina apo t’i djegin, por t’i dërgojnë në këtë dyqan, i cili paratë që i grumbullon nga shitja e veshmbathjeve i dhuron për të ndihmuar programet e Fondacionit ”Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.
Janina Mehmeti, koordinatore për ngritje të fondeve në Fondacionin ”Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, tha se në këtë dyqan qytetarët mund të dhurojnë dhe blejnë rroba për të dyja gjinitë, lodra, dekorime të vogla shtëpiake, aksesorë, e gjëra të tjera me çmime shumë të lira. Ajo tha se përveç ndihmës, kjo i kontribuon edhe ruajtjes së ambientit.
“Fondacionin ”Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” ka për qëllim uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në Republikën e Kosovës, si i tillë ne kemi shumë programe shëndetësore të cilat kanë nevojë për finacim dhe si inciativë për me i financu programet tona shëndetësore që me ndihmu sa më shumë nëna dhe fëmijë në Kosovë ne e kemi hapur dyqanin e bamirësisë “Teshavesha”. Ky dyqan fton qytetarët që të dhurojnë rroba të cilat i kanë në dollape dhe nuk kanë nevojë për to, ose nuk janë më në përmasa të tyre, nuk iu pëlqejnë apo kanë dalë jashtë modës, apo për arsye të ndryshme dhe nuk kanë ku me i dërgu, ne i pranojmë ato në formë donacioni, mandej ne ato rroba i riciklojmë dhe i shesim me çmime të volitshme, çmimet fillojnë një pjesë e madhe e tyre është 10 cent dhe më së shumti deri 3-4 euro. Rrobat që i sjellin ne i vendosim në dyqan, i ekspozojmë derisa të shiten, prandaj me dhurimin e rrobave ndihmohet një foshnje, një nënë, po ashtu ndihmon edhe në përmirësimin e ambientit pasi djegia e tyre është ndotje e ambientit, po ashtu hedhja e tyre në mbeturina është ndotje, por ndihmon që edhe familjet në nevojë mund të furnizohen me çmime ku me 1 euro mund të blej dhjetë rroba në këtë dyqan”, tha Mehmeti.
Mehmeti tregoi se për çka konkretisht i dedikojnë paratë e mbledhura nga shitja në dyqanin ”Teshavesha”.
“Me fondet që ngriten nga shitja e rrobave ne financojmë programe shëndetësore përkatësisht blerjen dhe furnizmin e medikamenteve surfaktan, ky është medikament i cili ndihmon foshnjet që lindin para kohe që t’iu zhvillohen mushkritë dhe t’iu shpëtoj jetën, rreth 200-300 foshnje në vit marrin këtë medikament, po ashtu financojmë edhe blerjen e pajisjeve mjekësore siç janë inkubatorët, fotollampet në Klinkën e Neonatalogjisë, po ashtu bëjmë furnizim të pajisjeve mjekësore në Klinikën e Gjinkekologjisë për nënat shtatzëna, po ashtu edhe në Pediatri. Po ashtu, me shitjen e këtyre rrobave financojmë edhe qendrën e informimit të shëndetit të gruas, program tjetër që financojmë është edhe transporti neonatal, i cili është i dedikuar për transportimin e fëmijëve nga spitalet rajonale në atë kryesore, prandaj sa më shumë rroba të sillen ne do të jemi në gjendje të punojmë më mirë dhe t’i financojmë sa më shumë për këto programe”, tha Mehmeti.
Dyqani bamirës “Teshavesha”, i cili është hapur që dy muaj në Ferizaj, ndodhet afër rrethrrotullimit në rrugën ”Rexhep Bislimi”.