Në Ferizaj është mbajtur debat publik lidhur me hartimin e Hartës Zonale të komunës së Ferizajt. Drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, tha se kjo hartë bazohet në Planin Hapësinor të Kosovës dhe Hartën Zonale të Kosovës. Aliu tha se Harta Zonale është dokumenti më i rëndësishëm i komunës, përmes së cilit parashihet zhvillimi i qytetit, planifikimi urban, ndërtimet, e shumë të tjera.
“Jam shumë i vetëdijshëm se gabimet kanë me na ndodhë sepse është shumë e zorshme me i kënaq interesat e të gjitha grupeve, sepse është shumë e zorshme me planifiku secilën hapësirë e secilin centimetër që ne jetojmë, por megjithatë ne duhet me u mundu që me i gërshetu interesat tona të përbashkëta të qytetarëve dhe komunës. Dokumentet që tash kanë me u bë, hartat zonale, janë të bazuara në normat teknike, pra baza kryesore janë normat teknike dhe baza tjetër është PZHK-ja e cila është miratuar përkundër asaj që ka pasur vërejtje dhe ka pasur gabime telashe, por kemi me pa që nëse është e mundur me ligj e rregullume ne do të tentojmë t’i përmirësojmë”, tha Aliu.
Ndërsa, të pranishmit paraqitën vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre përkitazi me këtë dokument.
‘’Në çfarë baze na ka ardhë ky draft sot këtu, kur e dimë që në diskutimet publike që janë bërë deri më tani nuk ka pasur propozime nga ana e qytetarëve. Ndërsa për PZHK-në ju thatë se ka pasur të meta të mëdha, por kohë pas kohe po thirreni në PZHK, ndërsa kohë pas kohe nuk po e përfillni siç kemi rastin me varrezat dhe spitalin ju nuk e keni përfillur PZHK-në dhe i keni arritë qëllimit e juaja apo premtimet elektorale, pse pra nuk po veproni me i përmirësu këto anomali të PZHK-së siç keni vepru me spitalin dhe varrezat e qytetit”, tha Enver Haliti.
“Nuk është keq as nuk është marre apo shkelje e ligjit me i mbajt premtimet që i kemi dhënë dhe falë Zotit kanë qenë premtime të mira. Sa i përket hartave kanë me u bazu në Planin Zhvillimor Komunal, planet rregullative janë krejt të inkorporuara në PZHK”, tha Aliu.
“Unë kam lindur në rrugën “Emin Duraku”, aty është dhënë leje me u ngritë ndërtesa 12 katëshe pa qenë fare infrastruktura nëntokësore aty, kush ka dhënë asi leje, më intereson gjithë këto objekte që janë ngritur në Ferizaj a janë bërë pranimet teknike të atyre ndërtimeve”, tha Ismet Idrizi.
“Nuk janë bërë mjaftueshëm pranime teknike, 97% nuk janë bërë”, u përgjigj drejtori Aliu.
“Nuk kam parë model të zgjerimit të ndërtimit të lartë në formën e kancerit të merimangës në vende tjera sikurse që e ka zbulu Ferizaj, nuk ka askund këso forme, këto vizatime që janë bërë janë diktu nga industria, por nuk është balancimi me interesat e qytetarëve, çka do të thonë qytetarët të cilët e kanë shtëpinë prapa një ndërtese të lartë përgjatë rrugës “Rexhep Bislimi”, apo rrugës “Vëllezërit Gërvalla”, atyre shtëpive prapa a po u bëhet cenim i të drejtës pronësore me ndërtesat 10 katëshe që i kanë përpara, prandaj unë kam shumë vërejtje në PZHK-në, pasi Hartat Zonale janë me i ndërtu muret e shtëpisë, por themeli është keq, shtëpia e mirë nuk ndërtohet në një themel të qarë siç është PZHK-ja, prandaj insistoj që të rishqyrtohet PZHK-ja”, tha Visar Hoti.
Harta Zonale e Komunës është një dokument multi-sektorial që përmes grafikoneve, fotografive, hartave dhe tekstit përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e komunës për një periudhe katër vjeçare.
Debati publik i filluar sot do të vazhdoj përgjatë një muaji, në pjesë të ndryshme të qytetit dhe në fshatra. Përveç kësaj, u tha se nga ora 2 deri në orën 3, qytetarët do të kenë mundësi që në zyrat e Drejtorisë së Urbanizmit të njoftohen për këtë proces.