Ka disa javë që banorët e disa lagjeve të qytetit të Ferizajt, po përballen me mungesë të theksuar të ujit. Përveç ndërprerjeve pa paralajmërim, ata janë ankuar se edhe gjatë kohës sa ka furnizim me ujë, sasia e tij është e pamjaftueshme. Për gjithë këtë, në kompaninë e ujësjellësit dhe kanalizimit ”Bifurkacioni”, fajin ia hedhin punimeve që po bëhen në projektin ”Bashkimi i Qytetit”. Megjithatë, ata thanë se janë duke punuar që brenda ditës furnizimi me ujë të stabilizohet.
“Projekti “Bashkimi i Qytetit” ka prekur edhe disa asete tona të kompanisë, është puna tek gypi kryesor i cili është gypi transportues që vjen prej rezervuarit të Fabrikës së Përpunimit të Ujit në Pleshinë deri në qytet, i cili furnizon pjesën më të madhe të qytetit, pikërisht ky gyp në bazë të këtij projekti që është duke u punuar është paraparë që të dislokohet. Kemi pasur ankesa nga qytetarët për arsye se nuk ka pasur sasi të mjaftueshme të ujit, mirëpo kjo ka rezultuar për shkak se ky segment është dashur të dislokohet nga vendi që ka qenë në një vend tjetër, kërkojmë ndjesë nga konsumatorët tanë që kanë pasur mungesë të ujit, por dje është bërë kyqja e këtij gypi, është dislokuar në vendin e caktuar dhe besojmë se sot do të stabilizohet furnizimi me ujë”, tha Valdet Syla, shef i operativës në kompaninë ”Bifurkacioni”.
Syla, tha se për ndërprerjet e furnizimit me ujë kanë bërë paralajmërimet me kohë, mirëpo në fakt, një njoftim i tillë në media është bërë vetëm më datën 1 nëntor.
“Kemi bërë paralajmërime në të gjitha mediat lokale të Ferizajt, janë njoftuar të gjithë qytetarët se do të ketë furnizm me ujë me sasi më të vogël, janë njoftuar edhe rrugët të cilat do të kenë problem, por po e përsëris se sot presim që furnizimin ta bëjmë me kushte normale siç ka qenë edhe herave të tjera dhe deri në fund të ditës do të ketë stabilizim, pasi gypat kanë qenë të zbrazur dhe pritet derisa të bëhet mbushja e tyre dhe mandej të bëhet furnizimi normal”, tha Syla.
Jo zyrtarisht u tha se në disa pjesë të qytetit, sasia jo e mjaftueshme e ujit vjen për shkak të aktivizimit të ujësjellësit në fshatin Bibaj dhe në Fshatin e Vjetër dhe kjo gjendje do të vazhdoj deri në ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Talinoc.
Televizioni Tema gjatë ditës ka insistuar të kontaktoj me drejtorin e Shërbimeve Publike Arben Halilin, mirëpo përveç që nuk ndodhej në zyrë, ai nuk u shpreh i gatshëm as ta hapte telefonin.