Seanca shqyrtuese ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, ka vazhduar edhe sot në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Deklaratën e lënë në gjysmë e vazhdoi dëshmitari Imri Haliti, i cili është edhe palë e dëmtuar dhe bartës i peticionit të pronarëve të shtëpive në rrugën ”Astrit Bytyqi”. Ai tha se kërkesën kundër miratimit të Planit Zhvillimor Komunal, i cili parasheh destinimin e tokave nga ndërtimi i ulët në atë të lartë, e ka tërhequr dikush tjetër në emër të tij.
“Ne nuk kemi paraqitur kërkesë për shfuqizm të këtij vendimi, kush e ka paraqit atë kërkesë ne nuk e dimë, edhe pse aty është thirrë në emrin tim, pasi ka qarkulluar informata se është shfuqizuar vendimi për pezullimin ne kemi shkuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe jemi interesuar mandej ata na e kanë ofruar një kopje të këtij vendimi, do të thotë edhe komisioni edhe vendimi janë marrë në mënyrë urgjente një ditë para mbledhjes së Kuvendit, kush e ka bërë këtë nuk e dimë, por nga sekretari na është thënë personalisht se është duke u bërë e padrejtë, por kemi presione po ju ndjekne rrugën ligjore”, u shpreh Haliti.
Haliti akuzoi ish-drejtorin Grainca se një kërkesë të një familjes që jeton në rrugën ”Astrit Bytyqi” e ka shndërruar në peticion dhe në bazë të atij peticioni janë miratuar ndryshimet e destinimit të tokave në atë zonë.
“Te peticionet e kundërta aq sa i kemi parë ka pasur edhe fëmijë, por ajo nuk ka qenë peticion, por kërkesë e anëtarëve të familjes, por drejtori e ka shndërruar në peticion, ajo ka qenë kërkesë e Izer Ramadanit ku e ka përfshi familjen e vet, por jo edhe nënshkrimet, pasi fëmija nuk dinë me nënshkru, por Drejtoria e Urbanizmit për ta rritur numrin e peticionit të kundërt e ka shndërru në peticion, këtu mendoj se nuk ka falsifikim, por ka keqpërdorim të detyrës zyrtare, se falsifikim këtu nuk ka, pasi nuk ka nënshkrime të falsifikune, por i ka marr për bazë këta fëmijë për me rrit numrin”, tha Haliti.
Seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca dhe dy personave të tjerë, është ndërprerë me kërkesë të prokurorit Arben Ismaili, për shkak të angazhimeve që ai kishte. Seanca e radhës është caktuar për 29 dhe 30 nëntor.