Tensioni i lartë i rrymës për pak sa nuk ia dogji shtëpinë familjes Bekteshi nga fshati Sojevë i Ferizajt. Të paktën kështu thotë kryefamiljari Shefqet Bekteshi, i cili tregon për ngjarjen që ndodhi para tri dite në lagjen e tij, për shkak të një defekti në trafon e rrymës.
“Para mëngjesit është zgju nipi dhe e ka parë tymin, mandej i ka thirrë prindërit kur e kanë parë gjithë kuzhinën tym, prej habisë e kanë fikur me ujë, por fati i tyre është ndalë ndërprerësi i rrymës, mandej i kemi thirrë të KEK-ut u kam tregu që është këput zero në shtyllë dhe është duke ardhë rryma 360 ëat, por nuk ka ardhë askush. Si të këputet zero prej trafos rritet rryma 360 dhe prej saj ka ardhë, pajisjet na janë dëmtuar, por ishim tu shku edhe e gjithë familja”, tha Shefqet Bekteshi.
Për dëmtim të pajisjeve shtëpiake ankohen edhe banorët e tjerë të fshatit Sojevë.
“Për shkak të rrymës së fortë më janë djegur makina e larjes së enëve, frizi dhe televizori, kejt kjo për shkak të tensionit të lartë”, tha Nezir Islami.
“Kjo na ka ndodhur në ora 3 të natës, e kemi dëgju një zhurmë dhe kur jemi zgju çka kemi mundur të heqim prej rrymës i kemi shpëtu e çka s’kemi pas mundësi janë dëmtuar. Mua më është djegur kompjuteri i ngrohjes qëndrore, i kam lajmëru në KEDS, më thanë se i kena ndërprerësat, por ato në ato momente nuk qenë shumë të nevojshme, ka qenë rryma afër 400 kilovat, ushtonin kabllot e dritat”, tha Shaban Januzi.
Për problemet që ky fshat po i ka në vazhdimësi me energjinë elektrike, tregon edhe përfaqësuesi i fshatit Sojevë Sylë Syla, i cili thotë se disa herë ka kërkuar ndihmë nga KEDS-i, mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë. Ai tha se tensioni i lartë i rrymës u ka shkaktuar dëme 50 familjeve për të cilat do të kërkojnë kompensim nga KEDS-i.
“Kjo që ka ndodhur tani është për shkak të disa telave që janë të lëshuar dhe nuk është nevoja me qenë fare se me një kabllo 250 metra eliminohen diku afër 30 shtylla pasi janë të panevojshme ato shtylla dhe ato kanë rrymë për këtë arsye çdo erë, çdo prishje jo që e dëmton vetëm Sojevën, por edhe Dardaninë, Zllatarin, Mirosalën, e Bibajn. Unë kam bërë kërkesë para një viti se kanë me u heq prej përdorimit, por ende nuk është bërë. Po ashtu edhe lagjet tjera nuk janë në gjendje më të mirë, është lagjja e ”Kronit”, apo siç i themi ne ”Mahalla e Keqe” aty për shkak të zhvendosjes së dy shtyllave madje i kemi përgatitë edhe gropat, aty shtylla e tre fazit apo e tensionit të lartë është e lidhur për shtëpie dhe nëse bjen ajo aty ka me pas fatalitet”, tha Sylë Syla.
Televizioni Tema tentoi të kontaktojë me zyrtarët e KEDS-it lidhur me këtë çështje, mirëpo gjatë ditës kontakti me ta nuk ishte i mundur.