13 vjeçari Arlind Lamaxhema nga Ferizaj, ditë më parë është kthyer nga Tetova me çmimin ”Artisti i ri” për grupmoshat 13 vjeçare, në mesin e afër 40 konkurrentëve të cilët ishin pjesë e festivalit të solo këndimit dhe pianos “Artisti i ri” 2018.
Arlindi, teksa tregon eksperiencën që pati në këtë festival, beson se ky çmim nuk e ka gëzuar vetëm atë, por të gjithë qytetarët.
“Unë kam qenë në gara ndërkombëtare këtu, por edhe jashtë Kosovës, kam marrë çmime të ndryshme, por gara e fundit që është mbajtur ka qenë në Tetovë, gara është quajtur ”Artisti i ri” dhe ka qenë garë ndërkombëtare dhe aty kam marrë çmimin e parë, jam ndjerë shumë i gëzuar pasi bëra krenarë jo vetëm familjen e profesorin tim, por ndoshta edhe vendin tim. Aty kam ekzekutuar vepra të kompozitorëve të famshëm botëror si Frederic Chopin, mandej kompozitorit Johann Sebastian Bach. Ishte një garë e fortë, por ia arrita që me punë dhe vullnet ta marrë vendin e parë”, tha Lamaxhema.
Pianisti i ri, thotë se ky çmim e ka motivuar edhe më shumë për të punuar dhe për të marrë pjesë në festivale të tjera.
“Pas asaj gare kam marrë akoma më shumë vullnet që të vazhdoj përpara që të marrë akoma vende të para edhe pse varet nga juria, por di të them se jeta ime do të jetë e mbushur me muzikë. Tani pas kësaj gare kam një ftesë të re ku janë duke u mbajtur disa gara në Shqipëri dhe kam dëshirë që edhe atje të arrijë suksese si në Tetovë”, tha ai.
Profesori i pianos në shkollën e muzikës ”Çesk Zadeja”, Rinor Aliu, tha se pret shumë nga Arlindi dhe se suksesin që e pati në Tetovë beson se do ta ketë edhe në gara të tjera.
“Këto koncerte e gara që Arlindi po na përfaqëson neve po na bëjnë të ndihemi krenarë dhe një vullnet për neve që me punu edhe pak më gjatë, por ky është vetëm fillimi për ne, po besoj që garat e tjera nuk kemi me u ndalë jashtë vendit, pasi aty jam i fokusuar dhe nuk do të ndalemi”, tha Rinor Aliu.
Arlind Lamaxhema u prit sot në takim nga kryetari i Ferizajt Agim Aliu, i cili shprehu mbështetjen e qeverisë lokale dhe stimulimin e talentëve përmes programeve të ndryshme që ofrohen nga Drejtoria e Arsimit dhe ajo e Kulturës.