Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti të martën se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore dhe i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që për intervistë të shkojnë në zyrën e tij.
Këto komente, Kurti i bëri nga Gjilani, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë.
Në kohën që ishte në Gjilan, në orën 10:00 të paradites, ai ishte i ftuar të paraqitej në Prokurorinë Speciale të Kosovës, me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kurti u tha mediave se asnjëherë s’ka refuzuar të dëshmojë dhe se mirëpret Prtokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit.
“Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një prokuror që ka synim dëshminë e një dëshmitari, ajo nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humbi Prokuroria 3 muaj. Për bindjen time është e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë s’ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, ka shtuar Kurti.
Ndërkohë Prokuroria Speciale ka njoftuar se pas mosparaqitjes së kryeministrit Kurti për dëshmi, do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi.
“Dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës” – thuhet në reagim.
Kryeministri Albin Kurti është urdhëruar që dëshminë ta jap më këtë datë pas vendimit të Gjykatës të datës 21.02.2025, e cila e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë që ta urdhërojë kryeministrin e vendit që të paraqitet në zyrat e PSRK-së.