Objekti i bibliotekës “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, nuk është i mjaftueshëm për të sistemuar numrin e madh të librave që së fundi ka siguruar ky institucion. Në mungesë të hapësirës, libra të shumtë po qëndrojnë nëpër pako në depot dhe zyrat e kësaj biblioteke. Drejtoresha Tetuta Demiri, thotë se ky shqetësim dita ditës do të bëhet një problem i madh për bibliotekën e qytetit. Ajo theksoi se për herë të parë në historinë e qytetit pushteti i kaluar kishte ndarë një vlerë rreth 100 mijë euro për blerje të librave.
“Të them të drejtën ardhja e librave të ri po na ballafaqon me sfidën e hapësirës që nuk është e mjaftueshme për bibliotekë, pasi që fondi librar po rritet dhe hapësira nuk është e mjaftueshme, por ne kemi filluar regjistrimin e librit dhe shohim se sa po arrijmë që t’i renditim në raftet që ekzistojnë në bibliotekë. Deri më tani në listën e tanishme kanë ardhur mbi 2500 tituj me nga 3 e 4 ekzemplarë, gjë që ne jemi të detyruar që secilin libër ta kemi me nga 5 ekzemplarë në bibliotekë në mënyrë që mos t’a kthejmë duarthatë lexuesin. Po ashtu, një numër të tyre do ta dërgojmë dhe nëpër biblioteka të fshatrave ku funksionojnë, pasi që edhe atje kemi lexues të mjaftueshëm. Ndryshe, librat kanë ardhur prej zhanreve më të ndryshme, do të thotë, përfshihen të gjitha zhanret dhe janë libra që do të na përmbushin edhe neve si staf, por edhe për të gjithë kategoritë e lexuesve”, tha Teuta Demiri.
Derisa drejtues të bibliotekës së qytetit shprehin shqetësim për mungesë të hapësirës në këtë institucion, ata vlerësojnë se një zgjidhje më afatgjate do të ishte ndërtimi i një objekti të ri për këtë bibliotekë.
“Unë kisha bërë thirrje këtu që komuna e Ferizajt apo çdokush që mundet të ndikojë në këtë drejtim dhe që të bëj një projekt të tillë, pasi që është koha e fundit që biblioteka duhet ta ketë një objekt të ri dhe të sistemoj librin dhe t’i afroj lexuesit se kur të është objekti që i ofron të gjitha kushtet atëherë do të kemi edhe një rini më të shëndosh dhe do të vjen ta vizitojë bibliotekën çdo herë, pasi që edhe ambienti ndikon në përvetësimin e lexuesve“, tha Demiri.
Në bibliotekën “Sadik Tafarshiku” njoftuan se dy vitet e fundit ka pasur blerje më të madhe të librave krahasur me periudhat e mëparshme, mirëpo çuditërisht kjo bibliotekë muajt e fundit të këtij viti ka pasur lexuesit më të paktë në historinë e saj.