Kanë kaluar 10 ditë prej kur 34 vjeçarja Xhejlane Islami nga fshati Begracë i Kaçanikut, është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Që nga atëherë familja e saj nuk ka asnjë informacion se ku mund të ketë shkuar. Vëllai i Xhejlanes, Florimi, tregon për ditën kur motra e tij, e cila ka probleme mendore, doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më.
”Më datën 21 në orën 23:00 ka dalë nga shtëpia dhe prej asaj dite nuk e dimë se ku është apo ku ka shku. Ne nuk e dimë se ku ka shkuar, sepse askush nuk e ka pa meqë familja ka qenë në gjumë, të nesërmën kemi dalë me kërku por nuk e ka pa askush. Ajo ka probleme mendore, tash kohën e fundit është më e sëmurë për shkak të mërzisë nga vdekja e nënës”, tha ai.
Në ditën kur Xhejlanja është zhdukur, vëllai i saj tha se ajo ka pasur të veshur një pallto ngjyrë kafe. Ai apelon tek qytetarët që në rast se e shohin atë, ta lajmërojnë policinë apo familjen Islami në numrin e telefonit 044/767-046.
”Motra ime i ka flokët e shkurta, ka të veshur pallto ngjyrë kafe dhe trenerka. Unë i kisha lutur qytetarët që kush e sheh të na lajmërojnë”, theksoi Florim Islami.