Vendi ku për 8 netë priti shumë mysafirë sot u kthye në gjendjen e mëparshme. Simbolet e Festivali të Teatrove u larguan nga teatri i qytetit deri në organizimin e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, një ditë pas mbylljes së festivalit, ku edhe u ndanë çmimet për 7 shfaqjet konkurruese, dolën në pah pakënaqësitë e para për festivalin e sivjetmë.
“Sinqerisht mora guximin të flas, por të gjitha ato që i kam në shpirt dhe në mendje nuk mund t’i them, festivali është festë, por ky festival mbrëmë është shndërruar në një pakënaqësi si asnjëherë më parë, i kam vërejtur fytyrat e aktorëve, flas për jurinë, kam besuar tek profesori Fadil Hysaj e aktori Nexhat Xhokli mirëpo pse bëhen këto gabime me këtë bagazh që kanë këta dy, nuk po flas për Blertën se ajo është shumë e re në këtë aspekt, por për ata dy unë jam i befasuar”, tha aktori Dashnim Rexhepi.
“Jam me përvojën më të madhe në kulturë vetëm me krahasu të kaluarën me tashmë nuk jemi në rregull në asnjë lëmi, kam punu këtu 33 vite kur vinte publiku me pa pjesën teatrale shumica dilnin duke qajtur prej përshtypjeve të shfaqjes, ka pasur rregulla e organizim në nivel, nuk është shikuar paraja sikur tani, çmimet i kam shiku edhe pse nuk i kam përcjellur të gjitha shfaqjet, por juria ka shkuar politikisht jo sipas realitetit, për mua juria nuk ka qenë objektive, e kanë favorizuar vetëm një pjesë”, tha Osman Berisha.
Kurse, drejtori i Festivalit të Teatrove në Ferizaj Fatmir Hyseni, shprehet i kënaqur me mbarëvajtjen e festivalit, por edhe me ndarjen e çmimeve.
“Kanë konkurruar ato shfaqje ose produksione që kanë menduar se janë më të mirat dhe ne kemi pasur edhe një përzgjedhje dhe jemi munduar që të sjellim të gjitha zhanret e teatrit në festivalin e Ferizajt, në përgjithësi organizimi ka qenë shumë i mirë, në festival gjithmonë ka pakënaqësi në ndarjen e çmimeve mirëpo është vendim i jurisë e cila merr atë vendim dhe unë besoj se juria është shumë kompetente, ka qenë një profesor siç është Fadil Hysaj, Blerta Neziraj regjisore mjaftë e mirë dhe Nexhat Xhokli aktor me përvojë, do të thotë këta kanë marrë vendimet për çmimet e festivalit dhe ne si staf i Ferizajt nuk kemi bërë asnjë presion”, tha Hyseni.
Në edicionin e 48-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, çmimet kryesore iu ndanë shfaqjes ”Gratë” realizuar nga teatri shqiptar i Shkupit.