Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, klubi i të rinjve Rin’On në Ferizaj, organizoi një ligjëratë për t’i informuar femrat për këtë sëmundje dhe rëndësinë e kontrolleve mjekësore.
“Muaji tetor simbolizohet si muaj për ndërgjegjësimin e kancerit në gji, e kam marrë një iniciativë për me organziu një debat me gratë dhe të gjithë ata që janë të interesuar së bashku me dy ligjërues, është gjinekologu Dardan Baftiu dhe nutricistja Diola Dosti-Baftiu, ata do të na tregojnë simptomat që ka kanceri i gjirit. Kjo inciativë ardhur duke parë që shumë gra kanë brenga për këtë sëmundje”, tha Aulona Gashi, anëtare e klubit Rin’On.
Ligjëruesit thanë se është shumë e rëndësishme që të ngriten njohuritë rreth kancerit të gjirit, sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë.
“Ne punojmë veç e veç me secilën femër për këtë çështje, por ky muaj na shërben me taku më shumë femra me i vetëdijësu rreth kësaj sëmundje e cila është e shpeshtë tek gjinia femërore, në Kosovë nuk i di shifrat saktë, por e di se probabiliteti që një femër të preket nga kanceri i gjirit është 12-17 % gjatë jetës së vet, por ajo që është me rëndësi është që secila femër duhet të kujdeset për shëndetin e saj dhe të vetëdijësohet për këtë sëmundje, edhe pse vitet e fundit interesimi dhe nevoja për të pasur sa më shumë shërbime shëndetësore po kërkohet nga popullata, ne bëjmë apel që gratë të kenë një kujdes sa më të mirë ndaj shëndetit të vet dhe mos t’i lënë gjërat të vijnë deri atëherë kur bëhet vonë”, tha gjinekologu Dardan Baftiu.
“Në bazë të studimeve të fundit kanceri i gjirit mund të parandalohet, por edhe të menaxhohet por jo të them shërim, pasi shërim është fjalë e madhe, por që deri diku mund të menaxhohet me konsumimin e ushqimeve të ndryshme, ndryshimin e mënyrës së të jetuarit duke përfshirë këtu ecjen, meditimin, joga, ndoshta për njerëzit që jetojnë këtu mund të jetë jo shumë e “klikuar”, mirëpo vërtetë ka një ndikim të jashtëzakonshëm, por ajo që është me rëndësi është që njerëzit e prekur duhet të marrin informacione nga profesionistë adekuat për këtë problem”, tha nutricistja Diola Dosti- Baftiu.
Gjatë muajit tetor në komunën e Ferizajt janë organizuar dhjetëra aktivitete që kishin për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për këtë sëmundje.