Për më shumë se pesë orë një pjesë e qytetit të Ferizajt mbeti dje pa furnizim me ujë. Me një gjendje të tillë, banorët e rrugëve “Dëshmorët e Kombit”, “12 Qershori”, “Madeleine Albright” dhe “Epopeja e Jezercit”, u përballën edhe sot gjatë gjithë ditës, për shkak të punimeve që po realizohen në projektin ”Bashkimi i Qytetit”.
“Nuk kemi ujë prej mëngjesit, as dje, as pardje nuk ka pas, nuk na ka informuar askush, kohë pas kohe po vjen uji, nëse nuk gabohem kjo po ndodhë për shkak të punimeve që janë duke u bërë në rrugën “Epopeja e Jezercit”, tha Beqir Hasani.
“Sot prej mëngjesit nuk ka ujë edhe dje nuk ka pas, është e njëjta situatë prej mëngjesit deri në mbrëmje, me sa e dimë ne për shkak të punimeve ashtu na kanë thënë pasi kemi pyetur vet ne pse s’kemi ujë”, tha Kushtrim Ilazi.
Në kompaninë e ujësjellësit “Bifurkacioni”, thanë se ndërprerjen e ujit po detyrohen ta bëjnë për të mos u dëmtuar gypat e ujësjellësit gjatë punimeve.
“Atje janë duke u zhvilluar disa punime në projektin “Bashkimi Qytetit”, gjatë punimeve të ndërtimit të rrjetit të kanalizimit atmosferik i cili e përshkon atë rrugë kanë hasur në gypin tonë të ujësjellësit gyp FI 225, është gyp i cili furnizon pjesën dërmuese të qytetit, ne jemi detyruar ta ndërprejmë atë linjë për disa orë, sigurisht se ka qenë e paparashikueshme sepse ndonjëherë gjatë punimeve nuk mund t’i parashikosh gjërat, ka ndodhur 5 orë nuk ka pasur ujë një pjesë e qytetit një segment prej 300 metrave, mirëpo nga ora 5 e mbrëmjes është evituar ky problem, gjatë punimeve po hasin në pengesa të ndryshme dhe po detyrohemi edhe ne që ta ndërpresim që mos ta dëmtojnë gypin, detyrohemi ta ndalojmë atë segment derisa të kaloj atë pjesë, jemi duke u munduar mos e pas problem, por ka mundësi që ndonjëherë të dalë jashtë kontrollit, por ne u kërkojmë qytetarëve që të kenë mirëkuptim derisa të kalohet ky segment mandej është një pjesë atje që më nuk ka me pas telashe sepse kalohet edhe gypi i ujësjellësit”, tha Valdet Syla, menaxher i operativës në kompaninë ”Bifurkacioni”.
Punimet në projektin “Bashkimi i Qytetit”, nuk kanë shkaktuar telashe vetëm në ndërprerjen e furnizmit me ujë në këtë pjesë, por edhe në krijimin e kolonave nëpër rrugët e qytetit.
Ndalohet përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me Tv Tema.