Në kuadër të shumë aktiviteteve që e gjithë bota shënon në muajin tetor për luftën kundër kancerit të gjirit, një gjest human e bëri edhe gjimnazistja ferizajase Leonita Salihu. Kjo nxënëse e klasës së dhjetë, flokët e saja të gjata i shkurtoi pa ndonjë hamendje, për t’i dhuruar për ndonjë grua të prekur nga sëmundja e kancerit. Leonita thotë se këtë sakrificë të vogël po e bën në shenjë sensibilizimi, meqë rastet e shpeshta që po ndodhin e kanë prekur në masë të madhe.
“Normal edhe unë si shumica e vajzave i kam në qejf flokët e gjata dhe i kam pasur deri nën supe, por rastet që më kanë prekur desha që edhe unë nga vetja të jap diçka dhe të bëhem sado pak humaniste, kështu që sot flokët e mia që i kam prerë nëna do t’i dhuroj në ndonjë shoqatë që merret me aktivitete për luftën kundër kancerit në mënyrë që pastaj ato të dhurohen për ndonjë të sëmurë nga kanceri për t’i shfrytëzuar ato”, tha Leonita.
Leonita tregoi edhe për pritjen që i kanë bërë dje në klasë nxënësit dhe mësimdhënësit , kur e panë që ajo kishte ndryshuar aq shumë.
“Dje në orën e parë kemi pasur gjuhë shqipe dhe me të hyrë në klasë profesoresha më ka vërejtur dhe më tha çfarë ka ndodhur, kur unë i tregova asaj dhe nxënësve për qëllimin pse i kam prerë flokët të gjithë u emocionuan, ndërsa profesoresha më përqafoi fortë dhe bëm një foto. Unë definitivisht u ndjeva edhe më shumë krenare për faktin se si u prita nga klasa”, tha ajo.
Për veprën që bëri Leonita vlerësim të lartë dhanë edhe mësimdhënësit. Hysnije Mustafa-Shamolli, thotë se ndihet e lumtur që ligjëratat e herëpashershme që zhvillojnë mësimdhënësit e gjimnazit për jetën dhe shoqërinë, po ndikojnë pozitivisht në edukimin dhe informimin e drejtë të nxënësve, madje edhe për diçka kaq të shenjtë.
“Leonita është një prej nxënësve të shkëlqyer dhe ne jemi të lumtur që ajo është pjesë e gjimnazit. Ne kemi pasur shumë herë debate të ndryshme rreth jetës me Leoniten dhe nuk është që nuk e kemi pritur që ajo ka kaq guxim. Thjesht dje si hyra në klasë e vura re dhe e pyeta, Leonitë ku i ke flokët, duke menduar me vete se këtë gjest ajo e ka bërë thjesht për të ndjekur modën. Kur ajo na tregoi vërtetë u emocionuam të gjithë dhe ndihemi krenarë si shkollë që komuna jonë ka edhe moshatarë të tillë që dinë dhe guxojnë të japin nga vetja diçka për të tjerët”, tha Shamolli.
“Mua më ka pëlqyer shumë gjesti që ka bërë Leonita, për arsye se ka shumë njerëz edhe tek ne që janë diagnostiku me kancer dhe numri i atyre që po bëjnë humanitet për këtë sëmundje po shtohet çdo ditë e më shumë që neve po na vjen mirë. Prandaj, si klasë e Leonitës ndihemi shumë krenarë pasi që ajo çdo ditë është njeri i mirë dhe human. Unë personalisht kam edhe familjarë të prekur nga kjo sëmundje dhe vepra e Leonitës më gëzon edhe më thellë”, tha nxënësja Aurora Ramadani.
E, kjo klasë të cilën e bëri krenare shoqja e tyre, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, shënuan një aktivitet sportiv në sallën e edukatës fizike bashkë me profesorin e tyre.
Në fund, ata patën një mesazh njëzëri, “Kontribuo për luftën kundër kancerit”.
Ndalohet përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me Tv Tema.