Biblioteka e shkollës fillore “Bilall Shala” në Lloshkobare, është pasuruar me 600 libra të ri, donacion nga bashkatdhetari Zenel Kalanica, i cili jeton në Zvicër. Kalanica, i cili është nga fshati Llojza, tregoi për idenë e kësaj iniciative.
“Ideja ka qenë e Eqrem Ejupit, më takoi një ditë dhe më tha që kemi dëshirë ta mbushim bibliotekën tonë pasi kemi mungesë, mandej ne e kemi marrë inciativën bashkë me familjen time që t’i sjellim dhe i kisha porositur nxënësit që t’i lexojnë këto libra, sepse ardhmëria jonë është tek këta fëmijë dhe libri është i shenjtë, ashtu shkruan edhe në Bibël dhe Kuran që të lexojmë e të mësojmë”, tha Kalanica.
Dhurimin e këtyre librave e mirëpritën nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.
“Ky është ish-nxënës i yni, nxënës i shkëlqyer në kohën e tij dhe dashamir i madh i librit, ka qenë lexues i rregullt pasi unë bibliotekën e udhëheqi që 39 vite dhe një ditë takohemi me Zenelin dhe i tregoj që fondi i lekturës është i mangët për shumë tituj dhe më tha që është i gatshëm të më ndihmoj dhe më pas unë kam shkuar i kam marrë librat dhe besoj se kemi zgjedhur lekturë të mjaftueshme për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën”, tha Ejupi.
“Si mësuese në këtë shkollë më është dashur me punu edhe me lektura dhe e kam pasur mjaft problem meqenëse kam ardhur këtu në bibliotekë dhe ishte e mangët dhe më është dashur me i obligu nxënësit që të shkojnë në librari t’i blejnë, ndërsa tani më nuk ka nevojë, falënderojmë donatorin Zenelin dhe inciativën e arsimtarit Eqrem Ejupi”, tha mësuesja Kaltrina Maka.
“Për neve janë shumë të mira, pasi ne duhet të mësojmë çdo ditë e më shumë që të jemi më të suksesshëm dhe tani që kanë ardhur librat kjo është shumë e mirë për ne”, tha nxënësja Donika Kalanica.
“Lexoj dy orë, unë i marrë librat nga mami im dhe tani që janë edhe në shkollë është shumë mirë”, tha nxënësja Tesa Demaqi.
Donatori i këtyre librave Zenel Kalanica, u zotua se vitin e ardhshëm do ta renovoj shkollën ”Bilall Shala”.