Shfaqja “Le Pont”, e punuar në Francë me tekst të shkrimtarit Ismail Kadare, në të cilën luajnë aktorët shqiptarë Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktari, ishte shfaqja e cila hapi edicionin e 48-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.
Dramaturgu Haqif Mulliqi, tha se këtij festivali sivjet madhështinë ia shtoi aktori francez me prejardhje shqiptare Rexhep Mitorvica.
“Prania e Rexhep Mitorvicës këtu është e jashtëzakonshme dhe është mirë që për herë të parë në vend të vetin një aktor i madh me origjinë shqiptare që është një prej aktorëve të komitetit francez, kjo e hap një kaptinë të re në teatrin e Ferizajt dhe më vjen mirë që ndodhi një shfaqje e tillë që ka të bëj me një tekst të Ismail Kadares që ka të bëj me mitin e flijimit që është një mit i vjetër që dominon tek ne dhe ishim të gjithë të emocionuar, por ishte dhe vet Rexhep Mitrovica”, tha Mulliqi.
Aktori Arben Bajraktaraj, u shpreh i lumtur që po merr pjesë në këtë edicion të Festivalit të Teatrove.
“U ndjeva shumë mirë, isha i gëzuar që po luaj para një publiku me të vërtetë dashurues ndaj teatrit, për neve ka qenë rrugëtim i gjatë prej Parisit bashkë me Rexhepin e aktorë të tjerë dhe vërtetë ishte ndjenjë shumë e mirë dhe nëse teatri është i mirë gjuha s’ka rëndësi dhe uroj që ne ta kemi arritur atë”, tha Bajraktari.
Në Festivalin e Teatrove, sonte do të prezantohet shfaqja “Kur hana del” nga Ben Apolloni, për të vijuar të martën me shfaqjen “Zoti i masakrës” nga Besfort Idrizi, e të mërkurën me “Kasapi” të regjisorit Qazmendin Nuredini. E enjtja në teatrin e qytetit të Ferizajt “Adriana” është rezervuar për shfaqjen “Vetëvrasësi” nga Sulejman Rushiti, kurse të premten shfaqet “Ata që ikin” nga Kushtrim Bekteshi, po ashtu të shtunën do të jepet shfaqja “Gratë” nga Qëndrim Rijani, kurse Festivali i Teatrove mbyllet të dielën me shfaqjen “Im atë donte Adolfin”, të regjisorit Ilir Bokshi.