Rexhep Mitrovica, aktori i njohur nga Franca me origjinë nga Kosova do të jetë pjesë e Edicionit të 48-të të Festivalit mbarëkombëtar të Teatrit që mbahen këtë muaj në qytetin e Ferizajt, i cili nis më 21 tetor 2018. Së bashku me Mitrovicën në Ferizaj do të jetë edhe aktori tjetër i njohur kosovar që jeton në Francë, Arben Bajraktaraj. Të dy janë pjesë e shfaqjes “Le Pont” inskenuar në Francë sipas romanit “Ura me tri harqe’’ të Ismail Kadaresë, në regji të Simon Pitaqaj.
“Kam pas rastin të vizitoj regjionin dhe është kënaqësi me qenë këtu dhe shpresoj se do të ndaheni sa më të kënaqur me prezantimin që do të bëjmë dhe ta respektojmë sa më shumë kontratën e ndërsjellë që kemi bërë. Është një veçanti speciale me veprën, sepse kam rastin të luaj një vepër e cila rezonon në këtë ambient, në këtë regjion, sidomos tematika lidhet mjaftë shumë më vendin dhe regjionin. Është një vepër që ka mesazh shumë universal, kjo tregon edhe rëndësinë primare që e ka Kadareja si shkrimtar dhe përveç kësaj jam me fat që kam pas rastin të takoj një adaptim të tillë në frëngjisht që e cilësoj të veçantë, pasi krejt kjo është një kombinim mes vendit dhe veprës dhe veçanërisht adaptimit modern të kësaj vepre”, tha aktori Rexhep Mitrovica.
Për edicionin e 48-të të Festivalit të Teatrove tashmë janë përzgjedhur edhe shfaqjet konkurruese. Regjisori Besim Ugzmajli, tha se janë munduar të bëjnë përzgjedhjen më të mirë të produksioneve.
“Ne kemi provuar të sjellim disa risi në festival, mirëpo pa e humbur traditën dhe mënyrën se si është organizuar për 48 vite ky festival. Veçantitë e këtij programi të sivjetëm janë katër tekste shqiptare që vijnë duke përfshi tekstin e adaptuar të Simonit të shkrimtarit Kadare, pastaj është një tekst i Ag Apollonit, duke vazhduar me një tekst tjetër të Kushtrim Bekteshit dhe në fund teksti nga Mehmet Kraja. Sivjet programi ynë ka një konsiderim të veçantë për të sjellur dramat shqipe në Ferizaj, por duke mos lënë anash edhe tekstet tjera të dëshmuara të autorëve botëror, ne kemi përzgjedhur pothuajse produksionet më të mira mbarë-shqiptare që janë prodhuar këtë vit”, tha Ugzmajli.
Aktori Rexhep Mitrovica, është pritur sot në takim nga kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu.