Në kuadër të projektit për fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë që po realizon “Fondacioni Jahjaga”, sot komunën e Ferizajt e vizitoi ish-presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga. Ajo tha se aktivitetin e parë për këtë projekt po e nisë në Ferizaj për të vazhduar më tutje nëpër komuna të tjera. Me këtë rast, Jahjaga u takua me asamblistet e Kuvendit Komunal të Ferizajt, zyrtare të administratës komunale, si dhe pjesëtare të shoqërisë civile. Ish-presidentja e vendit, tha se pozita e gruas në vendimmarrje vazhdon të jetë temë që duhet të diskutohet dhe të analizohet nga lidershipi i vendit, prandaj përmes këtyre takimeve synon që të njoftohet nga afër me problematikat dhe sfidat që kanë femrat e komunave për t’u ngritur në pozita më të larta shtetërore.
“Kosova ka bazën më të fuqishme ligjore sa i përket fuqizimit të rolit të gruas, duke filluar nga Kushtetuta e deri tek niveli i ligjeve, vendimeve dhe udhëzimeve të ndryshme qeveritare apo administrative. Nëse krahasohemi me vendet e rajonit ne ndoshta jemi më të avancuar në këtë aspekt, por kur jemi tek zbatimi i tyre unë shpesh kam dhënë kritika të mëdha publike që ngecim dhe kemi qëllime shumë të mëdha sa i përket zbatimit të tyre në praktikë. Nëse ndalemi dhe shohim zgjedhjet e fundit në nivel komunal e vërejmë se nëse deri më tani kemi pasur së paku një kryetare të komunës, tani nuk kemi asnjë të tillë në asnjë komunë të Kosovës. Kemi pasur avancim sa i përket asambleve komunale, ku gratë janë në pozita të kryesueses që është deri diku një progres, kemi pasur gra asambliste dhe deputete dhe nëse e vërejmë se sa është i gatshëm populli që të përkrah gruan dhe të adresoj votën tek ato, kjo i bie që në legjislaturat e fundit vërehet që populli është i gatshëm për ta përkrahur gruan, por kemi ende punë përbrenda vetë institucioneve qofshin ato qëndrore apo lokale”, tha Jahjaga.
Nikoqirja e këtij takimi, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt Kristina Gashi-Bytyqi, duke e falënderuar ish-presidenten Jahjaga, u zotua se gratë e këtij institucioni do të punojnë në vazhdimësi për ta ngritur vetëdijen e shoqërisë në këtë aspekt dhe rolin e gruas në procese të ndryshme vendimmarrëse.
“Ne do të jemi gjithmonë mirënjohëse që edhe gjatë mandatit tuaj si presidente, por edhe tani nga ”Fondacioni Jahjaga” po kontribuoni mjaftueshëm për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe në procese vendimmarrëse”, tha Gashi – Bytyqi.
Pjesa tjetër e takimit vazhdoi në formë të bashkëbisedimit me ç’rast gratë asambliste, por edhe pjesëmarrëset tjera kanë adresuar çështje të ndryshme. Ndër rekomadimet që u potencuan këtu ishin: lobimi më i madh nëpër parti politike për t’i dhënë vendin e duhur gruas, arsimim më i madh dhe këmbëngulje tek vet femrat, si dhe organizimi i sa më shumë aktiviteteve që sensibilizojnë opinionin për adresimin e votës tek gjinia femërore.
Ish-presidentja Jahjaha gjatë kohës sa qëndroi në Ferizaj u takua edhe me kryetarin Agim Aliu, i cili e njoftoi atë se në përbërjen e qeverisë së tij janë edhe tri drejtoresha, por që çuditërisht asnjëra nga to sot nuk u pa nëpër takimet që ish-presidentja e Kosovës zhvilloi në Ferizaj.