Banorët e rrugës “Ndre Mjeda” në Ferizaj, ka më shumë se një muaj që vuajnë nga kundërmimi i kanalizimit, i cili ka depërtuar nëpër oborret e tyre. Për gjithë këtë problem ata fajësojnë një fqinj të tyre, i cili, sipas banorëve ka bllokuar kanalizimin në atë pjesë. Banorët kërkojnë nga komuna që t’ua bëj një zgjidhje sepse në këtë gjendje nuk po mund të jetojnë.
“Ky problem është që një muaj, është mbyllur kanalizimi, unë nuk banoj në këtë hyrje, por është shtëpia e vëllaut këtu dhe një ditë kur hyra brenda në shtëpi prej erës nuk u durojke pasi kanalizimi ka hyrë edhe brenda. Kanë qenë të komunës e kanë këqyr kanë thënë e rregullojmë, por duket që e kanë lënë në harresë, ky problem ka ardhur kur një kojshi e ka mbyll kanalizimin, për vete e ka zgjidhjen, e ka maru një shtëpi mbi kanalizim e po i pengon era atij, është në pronë të tij, e tash ne jemi bllokuar, po vjen era në të gjitha anët”, tha banori Gani Tërstena.
“Jemi 15 shtëpi, shaktat janë izoluar, tani një shi me ra nuk kemi ku shkojmë as në këmbë as me kerre, ndoshta kojshia ka të drejtë se është në mexhë të vet, tani ne nuk kemi ku të shkojmë, kemi qenë në komunë thonë hajt se vijmë ndërsa nuk vijnë hiç, është keq kjo pasi mua më është mbyllur gypi krejt”, tha Sylejman Xhaferri.
“Që dy muaj ditë kanalizimin na e kanë mbyll, era na mbyti, me ba me ra shi mos vet për ne”, tha një banore tjetër.
“Kur është bërë kanalizimi ka ardhur nëpër oborr tonin, por nuk kemi pasur telashe, tash është bërë kjo telashe pa prit, na ka njoftuar kojshia që bllokohet kanalizmi na ka dhënë afat një muaj, por ne nuk kemi mundur me bë zgjidhje, komuna na thotë me bë zgjidhje mes veti, por ne nuk mundemi me bë zgjidhje se mundemi me pas telashe mes veti dhe me të vërtetë është shumë vështirë dhe nëse bjen një orë ose dy shi do na hyjë kanalizimi brenda në shtëpi”, tha Fitim Xhaferri.
Për të marrë një përgjigje nga komuna e Ferizajt, Tv Tema kontaktoi me drejtorin e Infrastrukturës Arbër Bytyqi, drejtorin e Shërbimeve Publike Arben Halili dhe Inspektoratin Komunal, mirëpo ata duke mos pranuar të prononcohen për këtë çështje hodhën përgjegjësinë tek njëri tjetri.