Emërimi i një ministri nga Ferizaj në Qeverinë Haradinaj, po del të jetë meritë e deputetit Labinot Tahiri, i cili para një muaji kishte kërcënuar me dorëheqje nga posti i deputetit nëse nuk ndodhë një gjë e tillë. Tahiri thotë se nga komuna e Ferizajt është dashur të jetë një ministër qysh moti, meqë është kontribuesja më e madhe në arkën e shtetit.
“Ajo që nuk është bërë që 19 vite është bërë për një vit, unë kam qit flakë për goje me qenë një ministër nga Ferizaj. Ferizaj ka korporata të mëdha që janë taksapaguesit e parë të vendit dhe del kryeministri e presidenti krenohet me to, por kur krenohet duhet edhe me dhanë për këtë vend, se ne nuk jemi qytet që ia duam të keqen Kosovës dhe duhet të dinë që Ferizaj është zgjidhje për Kosovën. Për emërimin e ministrit përkrahjen e kam pasur nga kryeministri Haradinaj, por edhe presidenti Behgjet Pacolli të cilin e falënderoj pasi nuk ka qenë e lehtë për të me i ndërru ministrat. Ferizaj nuk është i përfaqësuar në qendër as 5%, imagjinoni sa punëtorë ka RTK-ja, ndërsa janë të punësuar aty 5 persona të Ferizajt, kjo është e dëmshme, pra unë e kam pasur përkrahjen për ministër nga Haradinaj dhe Pacolli, ndërsa këta të Ferizajt munden vetëm me uru”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se ka pasur kërkesa që ai vet të emërohet në këtë pozitë, mirëpo largimi i tij nga posti i deputetit do të ndihmonte në rrëzimin e Qeverisë.
“Kanë pasur dëshirë njerëzit, por e kam parasysh që me dalë unë si deputet vjen i LDK-së dhe rrëzohet Qeveria. Unë jam deputet që i kam sjellur 20 mijë vota AKR-së, poashtu jam njëri ndër njerëzit që është formu kjo Qeveri me votën time dhe këto kanë qenë sfida për mua, por unë uroj që Ferizaj të ndriçoj, sepse Ferizaj nuk është vetëm me marrë vota edhe në fund tepsijën me marrë me vete”, tha Tahiri.
Deputeti Tahiri, thotë se ashtu siç ka insistuar për emërimin e Ekrem Mustafës në postin e ministrit, njëjtë do të insitoj nëse ai nuk i kryen me dinjitet obligimet që ka marrë.