Me duartrokitje të pandërprera u prit sot në fshatin e tij të lindjes, kryetari i Ferizajt Agim Aliu. E, këtë entuziazëm nxënësve të shkollës së fshatit Balaj, Aliu ua ktheu me nga një tungjatjeta gjithsecilit.
Në oborrin e shkollës “Pavarësia” në Balaj, sot nisi ndërtimi i një salle të edukatës fizike e cila u tha se do t’iu shërbej nxënësve, por edhe gjithë banorëve të këtij fshati. Në përurimin e këtij projekti, kryetari Agim Aliu tha se qeverisja e tij po i kthen investimet tek sporti me qëllim të largimit të fëmijëve nga dukuritë negative.
“Ajo që ne sot punojmë është që vërtetë e ardhmja e sigurt këtu dhe që njerëzit mos të frikësohen nga e ardhmja këtu dhe fakti që ne investojmë në arsim është sigurt bazament që ne ecim rrugës së duhur. Ky nuk do të jetë investimi i vetëm në komunën e Ferizajt, kjo do të jetë një sallë e edukatës fizike që në radhë të parë do t’u shërbej banorëve të këtij lokaliteti, por edhe gjithë grykës së Nerodimes. Këso salla do të realizojmë edhe në lokalitete të tjera. Me këtë investim ne dëshirojmë t’i shmangim nxënësit nga dukuritë deviante”, tha Aliu.
Projekti për ndërtimin e sallës së edukatës fizike po konsiderohet si më i qëlluari në këtë fshat.
“Kjo kërkesë ka qenë e kahmotshme, për një sallë të tillë kemi pasur nevojë edhe ne mësimdhënësit, por më së shumti vet nxënësit. Prandaj, mund të them lirisht ky projekt do të jetë në funksion të së mirës për nxënësit e këtushëm”, tha drejtoresha e shkollës, Safete Tahiri.
Ky projekt komunës së Ferizajt do t’i kushtoj rreth 300 mijë euro.