Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton ish-Presidentin Donald Trump për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit si dhe krime të tjera. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, gjatë kontrollit të shtëpisë së ish-presidentit në Florida këtë javë, agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve konfiskuan mes të tjerash “dokumenta tepër sekrete”.
Të premten, Gjykata e Qarkut për Floridën Jugore bëri publike urdhërin për kontrollin e shtëpisë së ish-Presidentit Donald Trump dhe listën e sendeve të konfiskuara.
Dokumentat tregojnë se agjentët e FBI-së gjetën 11 dosje me dokumenta, përfshirë materiale të etiketuara tepër sekrete, sekrete dhe konfidenciale. Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se kishte dhënë miratimin për kontrollin e shtëpisë së ish-presidentit.
“Departamenti (i Drejtësisë) nuk e merr lehtë një vendim të tillë. Aty ku është e mundur, është praktikë standarde që të kërkohen mjete më pak ndërhyrëse si alternativë për një kontroll, dhe shtrirjen sa më të ngushtë të çdo kërkimi që ndërmerret”, tha Garland.
Të enjten, në një mënyrë tejet sfiduese, zoti Trump bëri një akuzë të pabazë se ish-Presidenti Barack Obama mori me vete 33 milion dokumenta, mes tyre të klasifikuara. Përmes një deklarate të premten, Arkivi Kombëtar hodhi poshtë pretendimet duke shtuar se agjencia kishte marrë në dorëzim dokumentat presidencale të zotit Obama kur ai i largua nga detyra.
Aleatët republikanë i dolën në mbrojtje zotit Trump, duke thënë se administrata e Presidentit Biden po e përdor Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në si mjet politik.
“Presidenti Donald Trump është kundërshtari më i mundshëm politik i Joe Biden-it në vitin 2024(zgjedhjet presidenciale). Kjo ndodh më pak se 100 ditë nga zgjedhjet kritike të mesmandatit”, tha Elise Stefanik, ligjvënëse republikane nga Nju Jorku.
Zoti Trump po hetohet për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit, i cili mbulon veprat që përfshijnë keqpërdorimin e materialeve të klasifikuara.
Pavarësisht se si rrjedh situata, çështja tashmë po dëmton sigurinë kombëtare, thotë për Zërin e Amerikës ish-analisti i CIA-s Paul R. Pillar.
“Madje tani, nëse dokumentet janë marrë në dorëzim, le të themi nga FBI-ja dhe një qeveri, një qeveri e huaj nuk mund të ketë qasje të drejtpërdrejtë në to. Por ndoshta ka njerëz në rezidencën e zotit Trump që kanë patur qasje tek këto gjëra, që kanë lexuar pjesë nga to, që kanë njohuri për to, të gjithë bëhet objektiva të mundshëm rekrutimi për agjencitë e huaja të zbulimit”.
Zoti Pillar thotë se qeveritë e huaja gjithashtu do të shikojnë nëse materiali është i turpshëm apo i dëmshëm për to. Një nga dosjet e konfiskuara nga rezidenca e ish-presidentit mbante etiketën “Informacione në lidhje me presidentin e Francës”./VOA
Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka marrë sot detyrën e Sekretarit të ri të përgjithshëm të NATO-s. Me një ceremoni solemne në selinë e aleancës në Bruksel, Rutte ka filluar mandati i ri në të cilin e zëvendëson Jens Stoltenbergun pas mandatit 10 vjeçar të tij në krye të kësaj aleance më të madhe ushtarake në botë.
Në konferencën e parë për media si sekretar i NATO-s, si prioritete kryesore Rutte përmendi forcimin e aleancës në reagimin kundrejt sfidave dhe rreziqeve të përbashkëta, ndihma për Ukrainën dhe përballja me sfidat globale.
Sipas tij, rol kyç për aleancën veri-atlantike ka edhe bashkëpunimi me vendet anëtare të BE-së dhe SHBA-të si në forcimin e brendshëm ashtu edhe për mbështetjen e Ukrainës.
Mark Rutte deri në marrjen e detyrës së re, shërbeu si kryeministër i Holandës në periudhën 2010 -2024.
Një përleshje fizike mes deputetëve ka ndodhur më 13.06.2024 në parlamentin e Italisë.
Siç raporton Zëri i Amerikës, Leonardo Donno, deputet i Lëvizjes “5 Yje”, po përpiqej t’i vinte flamurin italian ministrit për Çështjet Rajonale, Roberto Calderoli gjatë një diskutimi mbi projekt-ligjin e diskutueshëm të qeverisë në lidhje me autonomitë lokale.
Incidenti mes këtyre dyve u shndërrua në përleshje masive mes deputetëve të grupeve të ndryshme parlamentare derisa bëhet e ditur se njëri nga pjesëmarrësit në përleshje është larguar nga parlamenti në një karrige pacientësh.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është plagosur në një atentat pasditen e sotme.
Fico, 59 vjeç, u dërgua në spital pasi ndaj tij u shkrepën katër plumba në stomak dhe gjoks në ngjarjen që ndodhi pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislavë.
I dyshuari për plagosjen është arrestuar menjëherë pas të shtënave, raportuan gazetarët të cilët ishin në përcjellje të një aktiviteti të Ficos me mbështetësit .
Fico është kryeministër i Sllovakisë që nga fundi i vitit 2023